MASH, paraqet modelin e ri të diplomave 3-vjeçare
Modeli i ri diplomave për studimet 3-vjecare sipas kartës së Bolonjës, i kundërshtuar nga krerët e universiteteve dhe studentët, do të ndryshohet. Ministria e Arsimit u ka dërguar rektorateve një udhëzim të ri për hartimin e këtyre diplomave, duke revokuar kështu udhëzimin nr.26 të datës 14.07.08. Rektori i universitetit të Tiranës Dhori Kule, është shprehur se për herë të parë MASH ka reflektuar në respektim të ligjit të arsimit të lartë.
Sipas kreut të universitetit të Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome, në përputhje me udhëzimin e ri të MASH dhe me standartet e bolonjës. Kjo sipas Kules do të çojë në vend pretendimet e ngritura nga vetë studentët për këtë diplomë. Prej afro një muaji studentë nga fakultete të ndryshme në universiteti e Tiranës, kanë protestuar për modelin e diplomës së studimeve të nivelit të parë sipas Bolonjës. Të rinjtë kanë kundërshtuar një sërë elementësh të pasqyruar në këtë diplomë, që sipas tyre binin ndesh me ligjin për arsimin e lartë.