Prefekti kthen në Këshillin Bashkiak buxhetin e Tiranës
Buxheti i Tiranës nuk është miratuar dhe i është kthyer sërish Këshillit Bashkiak nga prefekti i Tiranës, z. Rruzhdi Keçi. Vendimi i marrë dje pasdite nga prefekti u arsyetua me mospërputhjen mes buxhetit dhe ligjit për pushtetin vendor dhe është dërguar me 7 ditë vonesë nga afatet ligjore. “E ktheva buxhetin, pasi konstatova shkelje të tij në 5 nene. Konstatova shkelje që bien ndesh me funksionimin e pushtetit vendor. Nëse buxheti i Tiranës kalohet pa ndryshime, atëherë do të padis bashkinë”, – tha z. Keçi.
Ndërkohë menjëherë ka reaguar Bashkia e Tiranës, përmes nënkryetarit të saj, z. Eduard Shalsi, i cili deklaroi se veprimi i prefektit ishte i motivuar politikisht. Shalsi tha se tashmë ekzekutivi i bashkisë po shqyrton mundësitë e veprimit.
Mosmiratimi
Prefekti i Tiranës e arsyetoi këtë vendim me mospërputhshmërinë e buxhetit dhe ligjit, në lidhje me fondin e komunitetit, që ka lënë të papërcaktuar 10 për qind të fondeve të buxhetit. “Disa pika të buxhetit nuk gjejnë zbatim në mënyrën si është paraqitur buxheti në raport me ligjin, ndaj unë i ktheva në mënyrë që të korrigjoheshin”, – tha z. Keçi.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi të ndërhyrjeve politike në vendimin e tij, edhe pse ka pasur kontakte të vazhdueshme me anëtarët e Këshillit Bashkiak, si të Partisë Socialiste ashtu edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. “Vendimi im nuk ka asnjë influencë politike, ashtu si edhe në vendimet e tjera”, – deklaroi z. Keçi, duke thënë se nëse Këshilli Bashkiak e rimiraton këtë draft, ai do ta kalojë çështjen në gjykatë.
Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Eduard Shalsi, tha se arsyetimi i prefektit Keçi nuk është logjikë juridike, por logjikë politike. Sipas tij, bashkia po vlerëson veprimin e prefektit, por nuk tha nëse do të rimblidhet Këshilli Bashkiak, apo jo.
Këshilli
Dërgimi i buxhetit në zyrën e prefektit u bë e mundur, pasi kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, autorizoi me shkrim nënkryetarin e këshillit, Petraq Simo, që të firmosë kalimin e buxhetit të bashkisë.
Tashmë, pritet që ai variant të rihidhet në votim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, Partia Demokratike ka përgatitur një variant alternativ për buxhetin e Tiranës, të cilin do ta hedhë për miratim në mbledhjen e ardhshme. “Me këto amendime, ne kemi alokuar fondet që ishin të paalokuara, në mënyrë që drafti të jetë i ligjshëm. Mos harroni se 7 nga 11 kryetarët e minibashkive kanë qenë kundër draftit në fjalë. Kështu, ne thjesht kemi marrë parasysh edhe kërkesat e tyre”, – tha për “standard” një prej anëtarëve të këshillit, z. Dhori Kule. Ndërkohë, ai bëri të ditur se ekzistojnë votat e mjaftueshme për të kaluar këtë variant. Në ndryshim nga hera e kaluar, kur varianti i kryebashkiakut Rama fitoi 29 vota, këtë radhë, duket se varianti i PD-së do të marrë më shumë, sipas prof. Kules.
Nisi shpërndarja e letërnjoftimeve
Pas pritjes njëmujore, kanë marrë në duar letërnjoftimet e para elektronike. Bëhet fjalë për banorët e njësive bashkiake 3 dhe 7 në Tiranë, ku nisi dje procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit. Ndërkohë, nga dita e sotme pritet të nisë në masë edhe dhënia e letërnjoftimeve në njësitë e tjera bashkiake të kryeqytetit. Prefekti i Tiranës, z. Rruzhdi Keçi, tha se procesi pritet të ecë me hapa shumë të shpejtë.
Për letërnjoftimin elektronik, çdo qytetar duhet të paguajë 1200 lekë të reja pranë zyrave postare. Me kuponin përkatës, ai do të drejtohet në zyrën e ngritur pranë njësisë bashkiake përkatëse për të bërë aplikimin. Nga koha e realizimit të kësaj procedure, qytetarit i duhen 2 javë për të marrë në dorë kartën e tij të identitetit. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se mospajisja me kartën e identitetit, përveçse do të jetë pengesë për përfitimin e një sërë shërbimesh, do të shoqërohet edhe me sanksione.