E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, përcaktohen datat e provimeve sipas shkollave

20/02/2009  Zhvillimi i testimeve të detyruara e atyre me zgjedhje do të jepen nga 1 qershori deri më 10 korrik 2009

Detajohet skema për zhvillimin e provimeve të lirimit dhe atyre të Maturës Shtetërore. Tashmë udhëzimi përkatës, që programon ditët kur do të zhvillohen provimet për të dyja kategoritë, ka nisur të dërgohet pranë drejtorive arsimore, të cilat më pas do t’ua transmetojnë shkollave të tyre. Njëkohësisht, duke filluar nga dita e sotme pranë këtyre të fundit, do të nisë dhe shpërndarja e formularit A-1, që do të plotësohet duke filluar nga java e ardhshme. Brenda këtij harku kohor fakultet do të publikojnë edhe koeficientet për lëndët me zgjedhje, në mënyrë që maturantët të kenë mundësi të përzgjedhin ato lëndë ku probabiliteti për t’u shpallur fitues është më i lartë, çka ndihmohet edhe nga koeficientet përkatëse. Sipas udhëzimit, notat përfundimtare për çdo lëndë do të nxirren brenda datës 22 maj 2009. Në datat 25–29 maj 2009 do të zhvillohen konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Për shkollën e mesme pedagogjike për minoritetin grek për provimin e gjuhës dhe letërsisë greke të përgatitet tezë e veçantë nga drejtoria arsimore e Gjirokastrës.

Provimet e Maturës

Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Arsimit përcakton që për vitet e fundit të shkollave të mesme 4 dhe 5-vjeçare viti shkollor do të përfundojë më 22 maj. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të Maturës, si lëndët e detyruara, ashtu dhe ato me zgjedhje, do të jepen nga data 1 qershor -10 korrik. Gjithashtu për provimet në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2- vjeçare janë caktuar datat 22 qershor - 1 korrik 2009. Kandidatët që do të rezultojnë mbetës gjatë sezonit të parë, mund t’i rihapin në sezonin e vjeshtës. Për këtë të fundit është vendosur që provimet të zhvillohen: letërsia dhe gjuha shqipe më 8 tetor 2009 dhe matematika më 15 tetor 2009. Në udhëzim specifikohet se për nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave socialkulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t’i japin këto provime klase me gojë në sesionin e dytë të po atij viti shkollor. Gjithashtu çdo drejtori arsimore duhet të dërgojë brenda datës 25 maj listën me emrat e maturantëve mbetës, që të mos përfshihen në listat definitive të provimeve të maturës.

Provimet e lirimit

Mbyllja e vitit shkollor për klasat e nënta do të përfundojë më 5 qershor 2009.

3. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të lirimit është nga data 6 qershor deri më datë 27 qershor 2009. Lëndët dhe datat e provimeve të lirimit në sesionin e parë janë: gjuhë shqipe dhe lexim letrar 13 qershor 2009, matematikë më 20 qershor 2009. Në institucionet arsimore private provimet e lirimit dhe provimet e Maturës Shtetërore me shkrim të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste si dhe në institucionet ekuivalente publike.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2009

a. Në gjimnazet me kohë të plotë ose të shkurtuar:

1. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

2. Matematikë 11 qershor 2009

3. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

b. Në shkollat e mesme pedagogjike:

1. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

2. Matematikë 11 qershor 2009

3. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

c. Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:

1. Gjuha dhe letërsia greke 28 maj 2009

2. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

3. Matematikë 11 qershor 2009

4. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

d. Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:

1. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

2. Matematikë 11 qershor 2009

3. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

e. Në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror):

1. Gjuhë e huaj 27 maj 2009

2. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

3. Matematikë 11 qershor 2009

4. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

f. Në shkollat e mesme artistike dhe sportive:

1. Formimi teoriko-praktik profesional 28 maj 2009

2. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

3. Matematikë 11 qershor 2009

4. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

g. Në shkollat e mesme teknike, ekonomike dhe teknike- profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare:

1. Formimi teoriko-praktik profesional 28 maj 2009

2. Letërsi dhe gjuhë shqipe 2 qershor 2009

3. Matematikë 11 qershor 2009

4. Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

Në pesë lëndët e fundit maturantët duhet të bëjnë kujdes gjatë plotësimit të formularit A-1 që të mos zgjedhin dy lëndë me zgjedhje që u përkasin gjuhëve të huaja.

Arsimi profesional

Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare të synojnë formimin teorik profesional dhe formimi praktik profesional. Në udhëzim specifikohet se tezat e provimeve për këtë kategori nxënësish do të përgatiten nga vetë shkollat e tyre dhe jo nga AVA, siç ndodh me provimet e tjera të Maturës Shtetërore. Gjithashtu për këtë profil shkollash është vendosur që datat e zhvillimit të testimit do të përcaktohen nga vetë drejtoritë e shkollave brenda harkut kohor të paraqitur më lart.

Mbetësit në gjimnaze

Për nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave socialkulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kan të drejtë t’i japin këto provime klase me gojë në sesionin e dytë të po atij viti shkollor. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin e dytë të provimeve të lirimit dhe të Maturës Shtetërore të po atij viti shkollor.

Formulari A-1

Nis sot shpërndarja e formularit A-1 në drejtoritë arsimore, për t’u çuar më pas në shkollat e mesme, ku brenda dy apo tri ditëve do të nisë plotësimi nga maturantët që duan të regjistrohen në provimet e maturës për 2009-n. Për kryerjen e kësaj procedure maturantët do të kenë në dispozicion dy javë kohë. Kjo do të thotë se fillimisht maturantët do të njihen me koeficientet e lëndëve, pastaj do të përzgjedhin.

Provimet me zgjedhje

Lëndët me zgjedhje që do të jepen provim do të jenë 12, përkatësisht: Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Njohuri për ekonominë, Filozofi, Gjuhë angleze, Gjuhë frënge, Gjuhë italiane, Gjuhë gjermane dhe Gjuhë spanjolle.

Maturantët duhet të bëjnë kujdes gjatë plotësimit të formularit A-1 që të mos zgjedhin dy lëndë me zgjedhje që u përkasin gjuhëve të huaja.

Provimet e lirimit

Zhvillimi i provimeve të lirimit për klasat e nënta do të zhvillohet për lëndën e gjuhës dhe leximit më 13 qershor 2009 si dhe matematika, që do të jepet me 20 qershor 2009. Nxënësit që do të klasifikohen mbetës gjatë fazës së parë, do të kenë mundësi t’i japin ato në sezonin vjeshtës, përkatësisht më datën 1 shtator gjuhë-leximin dhe më 5 shator 2009 do të rijapin provimin e matematikës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›