ADK, mbështet vendimet e Qeverisë, në marrëdhëniet tregtare

Alternativa Demokratike e Kosovës, (ADK), mbështet vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rivendosjen e ligjit dhe rendit në pikat doganore 1 dhe 31 dhe zbatimin e plotë të reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë.
ADK konsideron se operacioni i Qeverisë së Kosovës dhe Policisë Kosovës për të vënë kontroll të plotë në këto dy pika doganore është ushtrim i sovranitetit shtetëror në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vullnetit të qytetarëve të saj.
ADK vlerëson se Qeveria e vendit ishte shumë e përkushtuar që përmes dialogut teknik të arrihet marrëveshja për tregtinë e lirë midis dy shteteve, por dështimi i Serbisë për të njohur vulat e doganave të Republikës së Kosovës, e bëri legjitim vendimin e Qeverisë për masa të reciprocitetit tregtar.
ADK është e bindur se partnerët ndërkombëtarë e kuptojnë dhe e mbështesin Qeverinë e Kosovës në zbatimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit, në harmoni me Kushtetutën dhe parimet evropiane.
ADK u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të matur, pasi këto veprime janë në interes së shtetit dhe qytetarëve dhe se është e bindur që Qeveria do ti menaxhoj me strategji të matur dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.