E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH tërhiqet për ngarkesën mësimore

Mësuesit e letërsisë përjashtohen nga norma e re për shkak të ngarkesës më të madhe në punë Drejtorët e shkollave i rikthehen orëve të mësimit me nxënësit

Mësuesit e letërsisë në të gjitha shkollat e mesme të vendit do të trajtohen ndryshe nga arsimtarët e lëndëve të tjera. Të paktën për sa i përket ngarkesës mësimore. Ata do të vazhdojnë që të punojnë me normën e vjetër mësimore. Pra të kenë 20 orë mësimi në javë. Ndërkohë që kolegët e tyre duhet t’i nënshtrohen normës së re. Një urdhër i dytë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i nxjerrë javën që lamë pas, ka hedhur poshtë detyrimin e mësuesve të njërës prej lëndëve më të rëndësishme të shkollës së mesme asaj të Letërsisë. Përmes këtij urdhri, këtyre mësuesve do t’u krijohej mundësia që të ndiqnin normën e mëparshme mësimore. Një vendim i tillë u mor pas kërkesës së bërë pranë Ministrisë së Arsimit dhe argumentimit se arsimtarët e kësaj lënde kanë aktualisht një ngarkesë më të madhe në punë se sa kolegët e tyre. Kjo edhe për shkak të volumit të punës, ku përfshihet, përveç kryerjes së programeve mësimore gjatë orëve zyrtare në shkollë, edhe puna suplementare që bëhet prej tyre në shtëpi. Kështu, janë marrë parasysh orët e zgjatura të kontrollit jo vetëm të provimeve, por edhe vlerësimi i eseve apo konsultimet për maturantët që do të duhet të studiojnë më tepër letërsinë për të garantuar një rezultat sa më të mirë për garën universitare në provimin e fundit. Ky vendim është përshëndetur edhe nga vetë mësuesit e letërsisë, të cilët ngarkesën e re mësimore të përcaktuar nga MASH-i e konsideruan si mbingarkesë për punën e përditshme. Por telashet e mësuesve të letërsisë duket se do të shfaqen vitin tjetër, kur shkollat e mesme trevjeçare do të kenë një numër më të vogël të orëve të letërsisë. Nga pesë orë në javë kjo ngarkesë do të bëhet vetëm tre orë mësimi në javë për nxënësit. Një gjë e tillë pritet të nxjerrë si të papunë një numër jo të vogël të mësuesve të letërsisë.

Një tjetër ndryshim i realizuar së fundmi nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit është ai që lidhet me punën e drejtorëve të shkollave. Kështu, nëse një vit më parë, për t’u bërë drejtor shkolle duhet të ishe menaxher shumë i mirë, ky kusht nuk është më i domosdoshëm. Për drejtuesit aktualë të arsimit më e rëndësishme për këtë pozicion konsiderohet përgatitja pedagogjike e drejtorit të shkollës apo gjimnazit. Ndaj Ministria e Arsimit ka vendosur që ata t’i rikthehen mësimdhënies të paktën katër herë në javë. Jo më larg se një vit më parë, drejtorët e shkollave merreshin vetëm me menaxhimin e institucionit. Ishin të shkëputur totalisht nga mësimdhënia, madje trajnoheshin për t’u kualifikuar më tej postet drejtuese që mbanin. Në reformën e mëparshme të kryer nga kjo ministri me emër tjetër titullari, të qenit menaxher i mirë bënte diferencën mes drejtuesit dhe mësuesit të thjeshtë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›