PS: Mashtrimi me dritat, të hetohet OSSH-ja
Partia Socialiste akuzoi dje hapur qeverinë për faturat e larta të energjisë elektrike, me anë të mashtrimit në llogaritjes e kostos me sasinë, si dhe duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj CEZ-it. Përmes deputetit të Beratit, Erjon Braçe, PS denoncoi rastet e shumta të mashtrimit përmes faturave të energjisë, si dhe kërkoi ndërhyrjen e qeverisë tek OSSH-së, duke qenë se zotëron 25 për qind të aksioneve. “Qytetarët po paguajnë vjedhjen përmes faturimit të energjisë së konsumuar në dhjetor me çmimet që janë ligjore në janar. Qytetarët po paguajnë çmimin e ri të energjisë të rritur tre herë: për fashën deri në 300 kilovat nga 7.00 lekë në 7.70 lekë; për fashën mbi 300 kilovat nga 12.00 lekë në 13.50 lekë; për energjinë e ambienteve të përbashkëta nga 7.00 lekë në 8.00 lekë. Qytetarët po paguajnë me çmimet e rritura edhe energjinë e pakonsumuar të faturave si aforfe, apo energjinë përtej ditëve kalendarike të një fature normale, nga 30 në 35 ditë”, nënvizoi Braçe. Sipas tij, qytetarët po paguajnë vjedhjen më të shtrenjtë, ndërsa Kryeministri Berisha hesht. “Qirifikimi dhe Sali Berisha janë një simbiozë e papërsëritshme, thuajse e njëjtë me atë të kalit të vjedhur dhe Sali Berishës”, theksoi deputeti i PS-së.
#