Minatorët: Do të hyjmë në Kryeministri po nuk na dëgjuan
Ditën e enjte, afër mesditës, sindikalistët do të bllokojnë hyrjen kryesore të Kryeministrisë në një protestë, në të cilën kanë thirrur edhe pjesëmarrjen e qytetarëve. Gama e kërkesave kryesisht të Sindikatës së Minatorëve, këtë herë është zgjeruar edhe më tej. Ajo do të prekë interesin e të gjithë qytetarëve të cilët çdo muaj përballen me fatura të shtuara të energjisë elektrike dhe shumë shpejt edhe të ujit.
Sindikalistët kanë paralajmëruar dje protestën e radhës përballë selisë qendrore të Këshillit të Ministrave, ku ndodhet edhe zyra e punës e Kryeministrit Sali Berisha. Kërkesat e tyre janë fokusuar në përcaktimin e statusit të minatorit, anulimin e çmimit të ujit dhe të energjisë elektrike, si dhe në hartimin e politikave sociale në mbështetje të kësaj kategorie.
“Do të jemi ditën e enjte, në orën 11:00, përsëri përpara Kryeministrisë. Këtë herë nuk do të ketë largim. Veprimi do të jetë i alternuar, ndoshta edhe me sulme për të hyrë brenda, ndoshta edhe vetëm me qëndrim para Kryeministrisë, si ta diktojë situata. Këtë radhë kërkojmë jo vetëm mirëkuptimin, por dhe prezencën e të gjithë qytetarëve”, u shpreh kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Me këtë deklaratë jo pak të ashpër minatorët, që presin edhe mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, kanë paralajmëruar një përplasje tjetër me forcat e rendit.
Vetëm një javë më parë, sindikalistët organizuan një protestë përpara Kryeministrisë për kërkesat e tyre, të cilat ende nuk po gjejnë zgjidhje nga ekzekutivi.
Ata tentuan që të dëgjoheshin me forcë nga zyrtarët e qeverisë, që edhe këtë herë heshtën sikundër kanë bërë me çdo protestë të organizuar nga sindikata e njerëzve të nëntokës, atyre që kryejnë një ndër punët më të vështira.
#