E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi: Mësuesit, testim në mars, për të përfituar rritje page

Sipas udhëzimit të MASH-it, mësuesit që kanë plotësuar vjetërsinë sipas 3 shkallëve të kualifikimit, do të testohen
Të gjithë mësuesit që kanë plotësuar vjetërsinë e punës, sipas 3 shkallëve të kualifikimit, deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, do t'i nënshtrohen në mars një provimi për dijet e tyre në mënyrë që të përfitojnë edhe rritje page. Por testimi do iu shërbejë arsimtarëve jo vetëm për të përfituar rritje page, por edhe për të përfituar një shkallë kualifikimi më të lartë. Ky është udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, sipas të cilit, më datën 29 Mars mësuesit do t'i nënshtrohen këtij testimi dhe në bazë të rezultateve do të përcaktohet edhe shkalla e kualifikimit, pas së cilës, mësuesit do të mund të përfitojnë edhe shtesën e pagës në masën 10 dhe 20%.
Testimi
Testimi do të jetë i vlefshëm vetëm për punonjësit që plotësojnë vjetërsinë në sistemin arsimor parauniversitar, për vitin mësimor 2007-2008. Kështu, sipas udhëzimit të MASH, kualifikimi i punonjësve që kanë vjetërsinë e duhur në arsimin parauniversitar, për vitin 2008, do të bëhet nëpërmjet provimeve dhe portofolit personal të zhvillimit profesional. Madje në udhëzim shpjegohet se në këto provime do të përfshihen punonjësit e sistemit të arsimit publik dhe jopublik, me diplomë dhe pa diplomë mësuesie. Në këtë kategori përfshihen mësuesit pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale, në përputhje me profilin, në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune. Ndërkohë udhëzimi parashikon se nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim për shkaqe rastësore ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në provimin e vitit pasardhës. Gjithashtu, kandidatët që kanë vjetërsinë përkatëse në sistemin arsimor parauniversitar, brenda datës 15 janar 2008, duhet të plotësojnë formularët e aplikimit për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit. "Listat përfundimtare të kandidatëve për provimet e kualifikimit, mbi bazën e kritereve të mësipërme, i harton Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore brenda datës 20 janar 2008",- thuhet në udhëzim duke shtuar se pas përfundimit të testimeve, rezultatet do të shpallen me listat të afishuara në mjediset e DAR/ZA gjatë periudhës 20-31 janar 2008. e.bardhi
Ja shkallët e kualifikimit të mësuesve
Aktualisht, shkallët e karrierës së mësuesve janë me numra, pra me kohëzgjatjen e tyre. Kështu, shkalla e tretë e karrierës përkon me kohëzgjatjen si arsimtar nga 5 deri në 9 vjet, shkalla e dytë e kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet dhe shkalla e parë, nga 20 e më shumë vjet. Ndërsa pas një reformimi që pritet të ndodhë në sistemin e zhvillimit profesional të mësuesve do të ketë emërtime me tituj. Kështu, "Mësues Fillestar" do të jetë titulli i mësuesve të cilët sapo kanë marrë diplomën universitare të mësuesisë, ndërsa për shkallët e sipërpërmendura do të jenë përkatësisht: "Mësues" ose "Mësues i Licencuar" për shkallën e tretë; "Mësues Specialist" për shkallën e dytë dhe "Mësues Mjeshtër" për shkallën e parë. Pas titullit "Mësues Mjeshtër", mësuesi do të ketë detyrimin të ndjekë disa module, që kanë të bëjnë me të rejat e domosdoshme shkencore të mësimdhënies/mësimnxënies.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›