MB: 3234 hektarë tokë dhe 539 shtëpi nën ujë

Megjithëse se "më e keqja ka kaluar", 3234 hektarë tokë dhe 539 shtëpi vijojnë të mbeten nën ujë në qarkun e Shkodrës, si pasojë e përmbytjeve të nisura tre javë më parë.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme gjithëashtu tregojnë se 1795 persona vazhdojnë të qëndrojnë të evakuuar larg banesave të tyre, dhe 450 shtepi janë të rrethuara nga uji.
Raporti zyrtar tregon se sipërfaqja më e madhe e përmbytur është në komunën e Velipojës, ku 2000 hektarë tokë vazhdojnë të jenë nën ujë.
Nga Velipoja janë edhe 200 persona të evakuuar dhe 150 shtëpi të përmbytura.
Ndërkaq, nga 1000 hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në komunat Bushat dhe Dajç.
Nga komuna Bushat rezultojnë ende të evakuuar 170 banorë dhe 120 shtëpi të përmbytura.
Ndërkaq nga Komuna Dajç janë edne 800 persona të evakuuar dhe 190 shtëpi të përmbytura.
Raporti zyrtar i Ministrisë së Brendshme tregon se 890 hektarë tokë janë të përmbytura në Komunën Ana e Malit, ku rezultojnë edhe 150 persona të evakuuar.
Në komunën Bërdicë rezultojnë 250 hektarë tokë e përmbytur, ndërsa banorët e evakuuar janë rikthyer të gjithë pranë banesave të tyre.
Sipërfaqe më të vogla rezultojnë ende të përmbytura në komunat e tjera të qarkut të Shkodrës.
Drejt normalizimit po shkon edhe sistemi i transportit.
Me përjashtim të akseve drejt Obotit dhe Velipojës, të rrugët janë të kalueshme.
Ndërkaq, drejtoria rajonale e Shëndetësisë po monitoron me kujdes cilësinë e ujit të pijshëm.
Vijon gjithashtu dezinfektimi i sistemit të ujësjellës kanalizimeve.
Gjithashtu vijon puna për përforcimin e argjinaturave dhe shpërndarjen e ndihmave.