Fotoja realizuar nga Medvedev shitet mbi 1 mln euro
MOSKE-Një fotografi e realizuar nga presidenti rus Dimitr Medvedev është shitur me një çmim prej mëse një milion Euro në një ankand të organizuar për qëllime bamirësie, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm që mbahej nga kryeministri rus Vladimir Putin. Fotografia, e cila paraqet fortesën Tobol Kremlin në Siberi, është realizuar nga ajri gjatë një prej udhëtimeve të Medvedev me helikopter në Siberi dhe u shit me një çmim prej 1.1 milion Euro në ankandin e përvitshëm të bamirësië në Shën Petërsburg. Fotografia e realizuar nga Putin u shit me një çmim prej 800.000 Euro në ankandin e vitit të kaluar. Ankandi i këtij viti siguroi një shifër rekord prej 1.9 milion Euro në krahasim me shifrën prej 7 milion rubla të siguruar një vit më parë. Fotografia e realizuar nga Medvedev ishte një ndër 29 objektet e nxjerrë në ankand, pjesa tjetër e të cilëve ishin piktura. "Ne jemi të interesuar për mbledhjen e sa m ë shumë fondeve të cilat më pas përdoren për qëllime bamirësie" tha Valentina Matvienko, guvernatorja e Shën Petërsburg, gjatë vizitës në këtë ekspozitë bamirësie. "Dihet mirë që Vladimir Putin mori pjesë në edicionin e vitit të kaluar të këtij ankandi bamirësie me një pikturë të realizuar prej tij, e cila më pas u shit me një çmim rekord. Në fakt objektivi kryesor nuk janë të ardhurat. Rëndësi të veçantë ka fakti që udhëheqësit tanë si Vladimir Putin e Dimitri Anatoljeviç mbështesin këtë lloj bamirësie e veprimi njerëzor me përfshirjen e tyre'' shtoi ajo, duke iu referuar patronazhit nga ana e Medvedev. Matvienko ofroi pikturën e saj Ura prej Mermeri' në ankandin e këtij viti duke siguruar një shifër prej 306,000 Euro. Ankandi, i titulluar "Alfabeti i Car Fshati", zhvillohet prej katër vitesh. Përgjithësisht në të ofrohen piktura të realizuara nga politikanë të famshëm e personazhe të njohur. çdo artisti i caktohet një germë e alfabetit rus të cilit ai ose ajo e përdor për të krijuar një vepër arti e cila më pas shitet për qëllime bamirësie. Edicioni i këtij viti iu kushtua 300 vjetorit të Fshatit Car në rrethinat e Shën Petërsburg. Sipas rregullave të këtij ankandi për qëllime bamirësie secili prej pjesëmarrësve ka të drejtë të marrë pjesë vetëm një herë, ndaj Putin mbeti jashtë në edicionin e këtij viti. Medvedev nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë ankand për shkak të axhendës tepër të ngjeshur por dërgoi një prej fotografive të realizuara prej tij në shenjë mbështetje të bamirësisë. Kjo fotografi u ofrua me një çmim fillestar prej 20.000 rublash por më pas ky çmim u rrit me shpejtësi duke arritur në shifra mbresëlënëse prej 40 deri 50 milion rubla. Oferta fituese qe ajo e Mikhail Zingareviç, aksioner i grupit Ilim. Ai tha se fotografia e realizuar nga Medvedev kishte rëndësi të veçantë për të. "Rëndësia qëndron në faktin që është realizuar nga Dimitri Anatoljeviç, në faktin që është një vepër arti e realizuar prej tij " tha Zingareviç, duke shpjeguar se Medvedev bashkëpunonte me kompaninë e tij para se të zgjidhej president, kur jetonte e punonte në Shën Petërsburg. Tashmë kjo fotografi do të vendoset në zyrat e kompanisë për kënaqësinë e vizitorëve. 70 përqind e të ardhurave të siguruara në këtë ankand do të shkojnë për llogari të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, 15 përqind do të shkojnë për llogari të spitaleve pediatrike për blerjen e paisjeve mjekësore e riparime të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër për llogarik të një qendre rehabilitimi për të alkolizuar. (d.b/BalkanWeb)