E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo ndez polemikat: Ta shtyjmë edhe derbin

ROME-Polemikat mes Interit dhe Milanit kanë kapur kulmin ditën e djeshme. Vendimi i Ligës Italiane për të ndryshuar kalendarin e ndeshjeve të Milanit, pas një kërkese të bërë nga ky klub, është parë si i qëllimshëm dhe favorizues nga kushërinjtë zikaltër. Në fakt, Milani ka dashur të shtyjë ndeshjen e prapambetur me Fiorentinën dhe atë me Udinezen në Kupë për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Presidenti i Ligës Mauricio Bereta është bërë shënjestra e teknikut të Interit Zhoze Murinjo gjatë momentit të dorëzimit të çmimit për skuadrën e vitit në Itali, që u zgjodh pikërisht Interi. "Doktor Bereta, kam Samuelin në Kupën e Afrikës dhe 4 futbollistë në mesfushë të dëmtuar, do të më pëlqente ta shtynim derbin e së dielës", tha Murinjo duke iu drejtuar kreut të Ligës, që ishte i pranishëm në sallë. "Më vonë të jap numrin e telefonit dhe dëgjohemi", është përgjigjur duke buzëqeshur Bereta. Interi ndërkohë është zgjedhur skuadra e vitit, ndërsa Murinjo trajner i vitit në Itali, megjithatë vëmendja ka qenë më shumë te polemikat e derbit. Oriali Tepër i ashpër për ndryshimin e kalendareve pas kërkesës së bërë nga Milani, ka qenë dirigjenti i klubit të Interit Lele Oriali. "Ndryshimi është i pakonceptueshëm, - deklaroi ai. - Nuk do të habitesha edhe nëse neve na kërkojnë të luajmë në Kupën e Italisë që këtë javë. Nëse na lajmërojnë, do organizohemi...", shtoi Oriali duke ironizuar krerët e Ligës. "Shpresoj që të mos na penalizojë dhe ta mbyllim ndeshjen me 11 vetë, - deklaroi Oriali, që më pas polemizon me Galianin. - Me këtë çështje Milani konfirmoi se është i fortë brenda dhe jashtë fushe. Të them të drejtën nuk e dija se Galiani ishte akoma president i Lega Calcio. Mjaftonte të lajmëronte...". Në lidhje me shtyrjen e ndeshjes Fiorentina-Milan, Oriali rrit dozën e ironisë: "është e çdutishme që nuk e kanë shtyrë pas përfundimit të të gjithë kampionatit". Më tej, një akuzë edhe për sjelljen e arbitrave: "Gjatë gjithë ndeshjeve tona gjyqtari i katërt sheh vetëm pankinën tonë, në krah të së cilës ndodhet një sherif dhe në krahun tjetër një zëvendës sherif i prokurës federale. I falënderojmë për këtë vëmendje, por s'kemi nevojë", tha Oriali. Morati Ndërsa Murinjo e Oriali nuk e kanë kursyer ironinë, presidenti i Interit Masimo Morati ka dribluar polemikat në lidhje me ndryshimin e kalendarit për Milanin. "Tani mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës, - deklaroi Morati. - Sa i përket polemikës të shohim, do të flas me Ligën dhe Galianin dhe do të gjejmë një zgjidhje të zgjuar". Në lidhje me derbin e së dielës, Morati ka thënë: "Milani në këto momente po luan shumë mirë, i ka futbollistët në formë dhe besoj se do të dalë një ndeshje shumë e bukur, pa dyshim". (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›