E Shtunë, 31 Tetor 2026

MB, procedurat e reja për lëshimin e pasaportave biometrike

Ministria e Brendshme bën të ditur procedurën e re të sigurisë për lëshimin e pasaportave biometrike. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, tha se për të marrë në dorëzim pasaportën biometrike për të cilën është aplikuar, duhet të paraqiten më parë tek punonjësi i policisë, i cili ndodhet në të njëjtin ambjent me zyrat e “Aleat” që shpërndajnë pasaportat biometrike.

"Në rast se shtetasi zotëron pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i
policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak pa
dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen
në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit. Në rast se shtetasi nuk
ka qenë i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë
pas verifikimit në sistem, i lëshon vërtetimin përkatës. Në rast se
shtetasi rezulton në sistem i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër
dhe sqaron se nuk e ka pasaportën, për arsye se i ka humbur, i është
vjedhur apo dëmtuar, shtetasi drejtohet për të deklaruar këtë tek
komisariati i policisë që e ka lëshuar atë pasaportë. Aty pajiset me
vërtetimin përkatës nga specialistët e policimit në komunitet pasi
lëshon një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me
pasaportën e tipit të vjetër", tha Fatmir Konja.

Në këtë mënyrë shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike
pranë zyrës së “Aleat” vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të
bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka
qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka
humbur, i është vjedhur apo dëmtuar.

Anisa Braho

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›