E Shtunë, 31 Tetor 2026

MB:Ja situata në zonat e përmbytura në veri

Ministria e Brendshme në një njoftim për shtyp ka publikuar të dhënat për situatën në Shkodër e Lezhë pas përmbytjeve. Sipas MB-së, në Bashkinë e Shkodrës janë përmbytur 300 hektarë tokë, në komunën e Anës së Malit, 741, në Velipojë 200 dhe në Komunën Bërdicë 1000 hektarë.
Sipas njoftimit të ministrisë në Bashkinë e Shkodrës janë 60 banesa me prezencë uji, në komunën Ana e Malit, 135, në komunën e Dajçit 65, ndërsa në komunën Berdicë 12. Me tej, ministria e Brendshme njofton se në Bashkinë e Shkodrës janë evakuuar 60 familje, në komunën Ana e Malit 30 familje, në Dajç 130, në Berdicë 5 familje dhe në Bushat 7 familje .
Në të gjithë zonën e përmbytur janë larguar dhe 350 krerë bagëti. Në qarkun e Shkodrës janë shpërndarë 200 pako ndihma për banorët.
Sa i përket, qarkut të Lezhës, sipas ministrisë situata po shkon drejt normalizimit. "Po punohet intensivisht nga firma private dhe nga forcat dhe mjetet e ushtrisë, për ndërtimin e argjinaturës, në afërsi me lagjen Stome, në Tale dhe në fshatin Ishull Shëngjin, me 11 mjete", thuhet në njoftim. Në qarkun e Lezhës, gjithashtu po punojnë forca dhe mjete të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›