E Shtunë, 31 Tetor 2026

MD: Prokuroria politikë të padrejtë penale

 Raporti u publikua disa ditë më parë në media, ndërsa Shoqata e Prokurorëve Shqiptar reagoi dje mbi të, duke e cilësuar raportin si të motivuar politikisht.

Me anë të një deklarate, Ministria e Drejtësisë, theksoi se raporti është i bazuar mbi fakte. “Rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës është një shqetësim real, për publikun shqiptar,  dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar. Respektimi i institucioneve dhe i pavarësisë së tyre, është absolutisht, po aq e rëndësishme sa përballja e tyre me ligjin. Përgjegjshmëria ndaj Kushtetutës dhe ligjeve janë komponent i qenësishëm i ndarjes së pushteteve dhe premisë bazë për një shtet demokratik që synon të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve”, thuhet në reagim.

“Të jesh i pavarur, nuk do të thotë të mos japësh llogari, dhe procesi i llogaridhënies është proces vital për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në fokus të inspektimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë gjatë nje viti, ka qenë verifikimi i politikës penale në përputhje me kompetencat ligjore të nenit 56 të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar. Objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi”, vijon deklarata.

Ministria e Drejtësisë evidenton se bazuar në rezultatet e inspektimeve një politikë e padrejtë penale ndaj marrjes së jetës së shtetasve është absolutisht e papranueshme në një shtet, ku sundon ligji dhe ku siguria publike duhet të ekzistojë. “Një politikë penale e padrejtë jep sinjalin më negativ sepse sulmon drejtpërdrejt dhe në mënyrë agresive sigurinë publike të qytetarëve. Kundërpërgjigjja e institucioneve publike në këto raste duhet të jetë e menjëhershme, efektive, me integritet dhe mbi të gjitha të gëzojë mbështetjen e opinionit publik”, thuhet gjithashtu. Ministria e Drejtësisë respekton maksimalisht pavarësinë e institucionit, duke i bërë të ditur se askush nuk është i pakontrollueshëm. /Start/

                                                                                             2012-03-21 08:23
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›