Demshperblimi: Ish-të përndjekurit, PD kundër ligjit të Qeverisë

Komisioni i Ligjeve
Deputetët e maxhorancës rrëzojnë variantin e Qeverisë, mosha ulet me 70 vjeç për gratë e 75 për burrat. Ja 250 emrat me probleme.
Qeveria propozoi që 85-vjeçarët të merrnin paratë, mosha ulet në 70 vjeç për gratë e 75 për burrat.
Ndryshon ligji për të përndjekurit, hiqet nga seanca.
Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve rrëzoi ligjin e qeverisë për ish-të përndjekurit politikë. Në mbledhjen e djeshme, së bashku me maxhorancën, ka votuar pro disa amendimeve edhe deputeti Bashkim Fino, ndërkohë që opozita ka abstenuar. Në variantin e ardhur nga qeveria ishte parashikuar që personat që kanë mbushur 85 vjeç e marrin dëmshpërblimin me përparësi me dy këste. Por, gjatë diskutimit, fillimisht, nënkryetari socialist Fatmir Xhafaj, kërkoi që kjo moshë të ulej dhe më pas deputeti demokrat Fatos Hoxha propozoi që ta përfitojnë shumën e përcaktuar me dy këste të përndjekurit meshkuj mbi 75 vjeç dhe femra 70 vjeç. Më bëhet qejfi që opozita iu bashkua mendimit tim. Propozoj të ndajmë sipas gjinive, 70 vjeç për gratë dhe 75 vjeç për burrat, ata që do marrin këstin brenda një viti, tha deputeti Hoxha. Pasi kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, e hodhi në votim, 10 deputetë votuan pro, ndërkohë që nuk u regjistrua asnjë votë kundër apo abstenim. Pas miratimit të këtij amendamenti reagoi zv.ministrja e Drejtësisë, sipas së cilës ky ndryshim ka kosto financiare, çka bën të detyrueshme rishikimin e buxhetit. Një tjetër ndryshim i miratuar në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve ishte zgjatja e afatit të aplikimit për ish-të përndjekurit që nuk e kanë dorëzuar ende dosjen në Ministrinë e Drejtësisë. Në propozimin e Ministrisë ky afat ishte 30 prilli, ndërkohë që në Komision u ra dakord që afati të shtyhet deri më 30 qershor. Brenda datës 30.06.2012, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, thuhet në propozimin e miratuar. Një tjetër amendament i ligjit aktual është edhe zgjatja e periudhës kur dëmshpërblehen krimet e regjimit komunist. Deri tani kjo periudhë ishte nga 30 nëntori 1944 deri më 1 tetor 1991, ndërkohë që u bë nga 25 tetori 1944 deri në tetor 1991. Ministria e Drejtësisë argumentoi se në këtë periudhë ka nisur funksionimin Qeveria e Beratit, kur edhe kanë filluar vrasjet e regjimit komunist.
Seanca
Në rendin e ditës për seancën e sotme ishte parashikuar votimi i ligjit për të përndjekurit. Por, sipas deputetit të PS-së, Erjon Braçe, kryeparlamentarja Topalli e ka hequr atë nga rendi i ditës. Në drekë, zyra administrative e Jozefina Topallit i bëri me dije grupeve parlamentare se ligji nuk do të jetë nesër (sot) në rendin e ditës, siç ishte parashikuar! Dy arsye ka: njëra, qeveria ka shprehur refuzimin për të paguar menjëherë ish-të burgosurit mbi 70-75 vjeç; tjetra, mungesa e Sali Berishës në Shqipëri për të miratuar këtë ndryshim! Por, cilado që të jetë, ky është një turp i madh! Tallje gjithashtu!, shkruan Braçe në Twitter. Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarët e Parlamentit bënë me dije se ligji është hequr nga rendi për shkak se nuk i ka mbushur 48 orët nga shqyrtimi në Komision, siç e parashikon edhe Rregullorja.
Ndryshimet në ligjin e të përndjekurve
Neni 1 ishte
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.
Neni 1 bëhet
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 1.10.1991.
Në nenin 12 shtohet paragrafi
Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë burrat mbi 75 vjeç dhe gratë mbi 70 vjeç, i shpërndahet dëmshpërblimi në dy këste.
Neni 19 ishte
Brenda datës 01.07.2009, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 19 bëhet
Brenda datës 30.06.2012, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Dispozita kalimtare dhe të fundit
Neni 7
Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan pjesën e mbetur të vlerës së plotë të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë, me moshë mbi 75 vjeç për burrat dhe mbi 70 vjeç për gratë, të cilët kanë përfituar një pjesë të dëmshpërblimit, sipas mekanizmit të parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 12 të këtij ligji.
Shpërndarja e këstit të parë proporcional të dëmshpërblimit bëhet brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ish-të dënuarit politikë që kanë mbushur moshën 75 vjeç burrat dhe 70 vjeç gratë ose nga dita kur ish-i dënuari politik mbush moshën 75 vjeç për burrat dhe 70 vjeç për gratë.
Për ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë, me moshë mbi 75 vjeç për burrat dhe 70 vjeç për gratë, të cilëve deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk u është miratuar dëmshpërblimi me vendim të Këshillit të Ministrave, shpërndarja e këstit të parë bëhet brenda tre muajve nga çasti i miratimit të dëmshpërblimit. Pagesa për këstin e dytë bëhet brenda një viti nga çasti i përfitimit të këstit të parë.
Ish-të përndjekurit, PS: Fitojnë kolaboracionistët
Debate në Komisionin e Ligjeve për ligjin e dëmshpërblimit
Strazimiri: Të paguajnë ish-prokurorët dhe gjyqtarët e kohës