E Shtunë, 31 Tetor 2026

MES DY TË KËQIJAVE ZGJEDH ATË QË NUK KAM PROVUAR

Autori i Lajmit: Artan Mullaj
Barazimi i betonuar në mandate deputetësh në fakt mund të premtonte edhe një mundësi ndryshe, madje edhe një shpresë, për hir të së cilës LSI-së nuk do ti duhej të lëvizte nga identiteti i saj.Pikërisht kur dukej e pabesueshme ose u shit si e tillë, përkundrazi, sinjalet e barazimit në rezultatin e zgjedhjeve që dha sovrani, mund të qartësonin formulën e zgjidhjes së vështirë e të gjatë të ekuacionit të tranzicionit shqiptar. Sepse, nëse LSI do kish një urtësi të arsyeshme dhe nuk do të braktiste duke vrapuar llogoren e kujtimeve antiberishiane, barazimi afronte në tryezë për të gjithë dy opsione. Opsioni i parë nënkupton zgjedhje të reja, çka natyrisht dhe praktikisht do qe financiarisht e pamundur. (Edhe Bankën Botërorë të kishin vjedhur gjithë këta vjet pushtetarët tanë të korruptuar, dhe jo thjesht veç pasurinë e shqiptarëve, si ka ndodhur deri tani, paratë do tu kishin shteruar patjetër nga shpenzimet marramendëse në këtë fushatë, dhe veç kësaj, kriza botërore është afruar kërcënuese tek dera si plaka e Borëbardhës me mollën e kuqe në dorë). Opsioni i dytë mund të ishte dhe mbase duhej të ishte një kompromis i madh kombëtar politikanësh mëkatarë i cili, më shumë se interesant, do të qe një shans historik për Shqipërinë. Kompromis i përbashkët dhe dashamirës për qeverisje të ndershme e teknike. Kjo qeverisje do vazhdonte për aq kohë sa do nevojitej për ndryshimin konstruktiv të kodit të shpifur elektoral, që i la gojëhapur shqiptarët këtë herë, për liberalizimin e vizave, siç thuhej e thuhet, për disa reforma të domosdoshme dhe padyshim për organizimin e të parave zgjedhje te ndershme, të parakohshme dhe me standarde. Kjo qeverisje që pse jo mund të drejtohej edhe nga Ilir Meta, mund të sillte pozitivitet të ri dhe perceptim të ri në detaje sepse do shmangte përfundimisht politizimin e institucioneve, do siguronte paanësi dhe pavarësinë e nevojshme për funksionimin demokratik të vendit, duke i kursyer ndërkaq me marrëveshje makthin e pasigurisë qindra-mijëra punonjësve të administratës shtetërore, të cilëve në çdo rast ju kushtëzohet barbarisht buka e fëmijëve nga rezultati zgjedhor etj etj.
Por siç e dimë, LSI, me autoritetin e shpëtimtarit të vendit, dhe shkatërrimtarit të vetvetes i dha autoritet një pozicioni që befasoi, shqetësoi, madje edhe zhgënjeu jo pak shqiptarë. Krerët e LSI-së e shpërlanë vrasjen e ndërgjegjjes dhe i shpëtuan vuajtjeve të inferioritetit, duke braktisur llogoren e idealeve të tyre për një koalicion të dyshimtë, që i bën ata pushtetarë.
LSI-stët zgjodhën Berishën me nxitimin e rënies së lirë!
Tani që kjo gjë është një fakt i kryer, ekzistojnë vëmendje dhe opinione të tjera të cilat tolerojnë sot perceptimin se ky vendim i LSI është një mëkat i mirë për ti shpëtuar mëkatit të madh dhe tmerrit të madh që paralajmëron pasiguria dhe mungesa e ardhshme e stabilitetit, që, sipas tyre, solli barazimi zgjedhor. Sipas disa analistëve, nëse ky sinqeritet i supozuar është aq i shëndetshëm sa LSI shpreson ta përcjellë në publik, bashkimi Meta-Berisha, më shumë se martesë me kontratë, do të jetë një bashkëjetesë e dobishme. E argumentuar kështu, LSI-stët do meritonin një vëmendje të re në këtë analizë ku ata ngjajnë kamikazë të vërtetë në optikën ku atdheu i shtrenjtë është mbi të gjitha partitë, liderët, idealet dhe interesat e tyre..
Por ka edhe një optikë tjetër, në gjykimin e këtyre analistëve, në të cilën tradhtia e LSI ndaj së majtës është e përligjur, në kushtet kur ajo është amplifikuar gjithë këto kohë si një ndjesi hakmarrëse ndaj hakmarrjes së verbër dhe të pakuptimtë të Partisë Socialiste matanë, duket e justifikuar. Në këtë mënyrë, tradhtare por jo mëkatare, me të drejtë e dëmtuar nga kodi elektoral dhe e ndëshkuar nga vetë potenciali i saj elektoral (ishte ky potencial ai që prodhoi kundërshtitë dhe u bë shqetësim për të tjerët), LSI guxoi të marrë sipas tyre një vendim aventurë, drejtësinë e së cilëssipas këtyre zërave, koha do ta gjykojë shumë shpejt..
Meqenëse hakmarrja më e mirë është të qenit më mirë dhe më lart se kundërshtari, këta analistë ngulin këmbë se LSI ja ka arritur qëllimit të motivohet e justifikuar njëfarësoj me këtë koalicion. Ajo do të jetë ku e ku më mirë se socialistët e xhelozuar me dy-tre ministri që do kenë, çka përbëjnë një joshje të fortë financiare pas dietës së fortë zgjedhore, nga ku dolën të varfëruar, dhe veç kësaj, rast i mirë për ata që të jenë superiorë ndaj krerëve humbës, të pabesë e kokulur socialistë.
Por në të njëjtin zhvillim, ka zëra që trazojnë imagjinatën e të tjerëve drejt konkluzionit se LSI ka një plan kulismativ B, ndoshta të ideuar dhe frymëzuar nga fantazisti Nano, ish- kryetar i PS, ish kundërshtar i Metës, i cili është shfaqur në rolin e kumbaros së tij ditët e fundit. Në fakt, përse të mos ekzistojë një plan që do të jetë surpriza e fortë e LSI por edhe alibia e nesërme për vendimet e sotme të saj.. Papritur, pasi koha te japë mësimet e radhës, plani B i LSI-së mund të përdoret për të bllokuar dhe rrëzuar befas qeverinë e Berishës, çka mund të sjellë euforinë dhe krenarinë e krerëve të LSI-së, që sfidueshëm bën të mundur qoftë edhe dinakërisht rrëzimin e papritur dhe shumë të ëndërruar të Saliut,dhe ndoshta edhe të Ramës.
Ky sukses i ri i tyre do të ishte hakmarrje e re, mbi të parën.
Në fakt, koha do të gjykojë gjithashtu edhe drejtësinë e këtyre analizave. Por sido që të jetë dhe çfarëdo që të ndodhë, duke lënë mënjanë dyshimet dhe të gjitha opsionet, bashkimi i Metës me Berishën në fakt nuk është halli më i madh i shqiptarëve, me gjithë trazimin, mjegullën dhe zhgënjimin që sollën.. Është e sigurt që Ilir Meta nuk e ka në kokë atë yllin që do ta bënte atë të vetmin politikan shqiptar të gatshëm të rrezikonte seriozisht interesat dhe karrierën e tij për stabilitetin dhe të mirën e vendit. Madje duhet të jenë pakicë ata që luftojnë të besojnë se ai u saldua me Sali Berishën jo për interesa personale dhe ekonomike, por për të mirën e përbashkët, (ky është një nocion i pa materializuar ende në kokat e liderëve tanë), por edhe kështu, megjithëkëtë, halli i madh dhe e keqja e madhe nuk është ky koalicion i panatyrshëm në një boshllëk hipokrizie që shqiptarët fatalisht e njohin dhe fatalisht e pranojnë. Pavarësisht delireve dhe pavarësisht vetëdijes së shumicës së politikanëve për “gjenialitetin” e tyre, ku bën pjesë edhe zoti Meta, këto zgjedhje provuan se e keqja e madhe qëndron në faktin se klasa jonë politike ka një nivel të vrazhdë emancipimi që do shumë kohë të shkallëzohet në nivele të reja, shpresësjellëse të themi. Kjo,aq më shumë po të kujtojmë doganat psikologjike që klanet partiake kanë vendosur për të filtruar çdo hyrje të re emancipuese qe do t ju rrezikonte monopolet edhe mbështetjen në partitë përkatëse. E thënë ndryshe, këto zgjedhje vërtetuan hidhur se demokracitë e brendshme të forcave politike, ku mungojnë vizionet dhe përpjekjet për ti pasur ato, nuk mund të konsolidohen me mundësitë e tyre të brendshme. Ky është problemi! Kjo është fatkeqësia! Kjo mungesë emancipimi dhe kjo pafuqi për të gjeneruar energji të re ndryshimi, amplifikohet shëmtuar në bastionet elektorale, ku gjithçka, ngaqë është lehtësisht më e dukshme, duket më dëshpëruese zgjedhje pas zgjedhje, sepse në sjelljen e tyre konfliktuale kuptohet njëherazi roli gabim apo lëvizjet gabim të liderëve.
Natyrisht, është guxim shekspirian të drejtosh me zemërim gishtin tek fajtorët konkretë. Ngaqë kjo është gati e pamundur, ne thjesht konstatojmë pasojën dhe ndihemi mirë me të drejtën për të gjykuar se shkaku ekziston. Sepse e kemi kuptuar që shkaku nuk janë liderët,as demonet e tyre. Shkaku jemi ne.! Zgjedhjet tona! Zgjidhjet tona!Opinionet, shumatorja e tyre! Kundërshtitë, por edhe përpjekjet që mungojnë! Civilizimi i brishtë! Më e pakta që do mund të bënim sa për një reaksion është ajo që në fakt ka bërë instiktivisht Ilir Meta. Midis dy të këqijave sipas tij, ai zgjodhi atë që nuk kish provuar, Sali Berishën. Mes dy të këqijave, mbase të gjithë duhet të zgjedhim atë çka nuk kanë provuar. Guxim i madh për njerëz kokulur dhe komunitete të dështuara.
Ky lajm është publikuar: 18/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›