E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon PS-në, nuk do të ketë rinumërim të votave

Autori i Lajmit: Suela Topi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon me shumicë votash pretendimet e Partisë Socialiste, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar lidhur me rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qendra votimi ne pothuajse të gjitha Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. Edhe pas paraqitjes së këtyre ankesave nga të tre palët KQZ i ka konsideruar ato si të pabazuara në ligj dhe të pambështetura në prova konkrete që të faktohej shkelja e ligjit. Po me 4 vota është rrëzuar dhe kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së, nënkryetares Dëshira Subashi dhe anëtarit Artan Lazaj për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në disa KZAZ. Ndërkohë që dhe mbledhja e djeshme nuk ka shpëtuar pa debate dhe replika kryesisht mes përfaqësuesve demokratë, Njazi Kosovrasti dhe Oert Bylykbashi dhe nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi.
Ankimimet
3 subjekte politike kanë paraqitur dje ankesat e tyre për qarkun e Tiranës. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar pretendon se janë vjedhur votat e saj të cilat u kanë kaluar subjekteve të tjera. Përfaqësuesit ligjorë të kësaj partie pohuan e vëzhguesit e tyre ditën e zgjedhjeve vunë re një sërë shkeljesh dhe pasqyrim jo të drejtë të votave të LZHK-së prandaj kërkuan marrjen si prove të CD-ve ku është regjistruar numërimi i votave në disa prej KZAZ-ve në qarkun e Tiranës. I njëjti pretendim u paraqit dhe nga përfaqësuesja e PBDNJ-së e cila kërkoi rivlerësim dhe rinumërim të votave në KZAZ-të nr. 49, nr. 54 dhe nr. 56. “Kërkojmë të administrohen CD-të që kanë regjistruar këtë proces sepse nuk është marrë parasysh kërkesa e vëzhguesve tanë për pasqyrim jo të drejtë të votave në tabelën e rezultatit ndërkohë që nga monitori i kameras vëzhguesit kishin nxjerrë të tjera të dhëna”, - deklaroi përfaqësuesja e PBDNJ-së. Përfaqësuesi i PS-së për këtë çështje, Bledar Skënderi kërkoi rivlerësim dhe rinumërim të votave në KZAZ-të numër 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në qarkun e Tiranës. Pretendimet e ngritura nga socialistët ishin për përdorimin si fletë votimit të kundra-fletëve, për firma pas fletëve të votimit çka dhunonte fshehtësinë e votës si dhe për ambiente të papërshtatshme për numërimin e votave çka kanë cunguar sipas tyre transparencën e këtij procesi. Madje sipas Skënderit në disa KZAZ kanë qenë prezent dhe përfaqësues të lartë të pushtetit qendror apo lokal të cilët kanë cenuar zhvillimin normal të procesi siç është rasti në KZAZ-në nr. 57 për të cilën ka dhe vërejtje përkatëse në librin e protokollit.
Debatet
Pas paraqitjes së kërkesave demokratët i kanë kontestuar ato. Përfaqësuesi i demokratëve, Njazi Kosovrasti pohoi se modeli i kërkesës së PS-së por dhe partive të tjera për Tiranën është i njëjtë me atë për Beratin kur paraqiteshin pretendimet për shkelje të ligjit dhe pasojat e ardhura prej tyre por jo fakte për këto shkelje. “Ankimimi bëhet vetëm për tu thënë njerëzve që morëm mandatin e Fierit dhe po kërkojmë dhe të tjetër”, - tha ai. Këtë argument e mbështeti dhe përfaqësuesi i LSI-së, në KQZ, Ilirjan Muho i cili pohoi se ishte tërësisht e paargumentuar kërkesa e tre subjekteve politike. Debatet janë ndezur më tej pas kërkesës së anëtarit të KQZ-së, Artan Lazaj të mbështetur dhe nga Dëshira Subashi për të bërë rivlerësimin dhe rinumërimin e votës në disa KZAZ të qarkut të Tiranës. Pretendimet e tyre janë kundërshtuar nga demokratët. Oert Bylykbashi tha se kërkesat e anëtarëve të KQZ-së ishin tërësisht antiligjore. Ai madje solli si shembull një koment të Subashit në zgjedhjet e 2007 kur ka kundërshtuar një kërkesë të ngjashme duke kërkuar prej saj të jetë konsekuente në zbatimin e ligjit. Edhe më të rënda ishin akuzat e Kosovrastit i cili tha se Subashi duhet të ndërronte vendin me Gjonçaj sepse po bënte propagandën e PS-së. Subashi ka ndërhyrë duke kërkuar ti ndërpritet fjala Kosovrastit ndërsa ka theksuar se ajo ka zbatuar dhe do vazhdojë të zbatojë ligjin. “Ristani po i shërben PD-së, ndërsa anëtari Kosovrasti shkel vazhdimisht kodin zgjedhor dhe sulmon për të disatën herë”, u shpreh Subashi ndërkohë që kërkoi numërimin e kutive të ankimuara nga PS. Pas këtyre debateve dhe Ristani e ka kundërshtuar kërkesën e dy anëtarëve duke e konsideruar atë si të pabazuar në ligj dhe të koordinuar politikisht. Kreu i KQZ-së i ka dhënë më pas fund diskutimit dukke rrëzuar si kërkesën e anëtarëve të KQZ-së ashtu dhe atë të subjekteve politike ankimore me 4 vota pro dhe 3 kundër.

Replikat në KQZ
Artan Lazaj
Kam bërë një kërkesë unë dhe zonja Subashi që është protokolluar ku kërkojmë rinumërim dhe rivlerësim të votave të QZ-ve sipas ndarjeve të KZAZ-ve. Në bazë të nenit 136 pika 3 KQZ është e detyruar ta marrë parasysh dhe nuk mund të refuzojë kërkesën. Në bazë të nenit 138 KQZ është e detyruar të bëjë rinumërim dhe rivlerësim. Të zbatojmë ligjet.
Dëshira Subashi
Kërkesa jonë e detyrueshme. Vendimmarrja jo përfundimtare por për të siguruar provën. Unë kam kërkuar që të administrohen CD-të që kanë regjistruar numërimin e votave.
Oert Bylykbashi
Që nga viti 2003 për balancim të KQZ-së, ka qenë synimi që partitë politike të propozojnë profesionistë dhe jo anëtarë partie.
Genci Gjonçaj
Ndaloje, nuk mund të flasë jashtë çështjes.
Bylykbashi
Në mënyrë fare joprofesionale janë kërkesa që thyejnë ligjin. Procesi ka parashikuar gjithçka. Nuk mund të shpartallojmë gjithë procesin zgjedhor se dikush u gdhi me ëndrra.
Damian Gjiknuri
Kërkesa e dy anëtarëve, ligjore. Pse nuk janë të mundura CD-të, teknikisht nëse është ashtu kemi të bëjmë me një problem madhor. Pse materialet nuk vihen në dispozicion”. Me materialet do identifikoheshin shkeljet. Kjo mbledhje duhet të ndërpritet që në momentin që ndërpritet kërkesa e dy anëtarëve. Vetë Berisha tha dje se ka pasur shumë pak ankesa pra ne nuk po dëmtojmë procesin.
Njazi Kosovrasti
Zoti Gjonçaj pak ditë më parë iu thashë se ndoshta u takon të jeni në atë tavolinë. Dhe po them sot se një zonjë me sa duket nuk duhet të jetë atje por duhet të jetë në vendi tuaj qëë të bëjë propogandën e partisë. Ky është konkluzioni që arrij të kuptoj unë. Ju jeni anëtar i KQZ dhe qëndrimet politike janë të mohuara për ju.
Dëshira Subashi
Ju lutem zoti kryetar ju duhet të ndërhynit. Ju po i shërbeni Partisë Demokratike direkt duke e lënë përfaqësuesin e PD-së të komunikojë në këtë mënyrë.
Arben Ristani
Ata kanë të drejtë të flasin dhe të japin pretendimet e tyre.
Dëshira Subashi
Sigurisht që kjo ndërhyrje e zotit Kosovrasti nuk e nderon, nuk e nderon për veten e vet por as forcën e vet politike. Për të disatën herë që më sulmon mua edhe pse nuk ka kompetencën për ta bërë këtë. Por populli thotë një fjalë të urtë, gjuhet pema që ka kokrra dhe me sa duket ndaj e bën këtë zoti Ksovrasti. Unë do ta bëj detyrën time çfarëdo që thotë çdokush që është në tavolinën e partive politike.
Arben Ristani
Kërkesa jo vetëm e pabazuar ligjorit por për mua dhe e koordinuar politikisht. Është e pabazuar ligjërisht sepse kërkesa për të rinumëruar apo rivlerësuar vota të caktuara është kërkesë që bëhet në hetimin e kërkesës ankimore, është kërkesë që bëhet për të gjetur e marrë ato prova që i ka kërkuar ankuesi dhe që i ka pasqyruar apo ka lënë gjurmë në procesin zgjedhor. Ligji thotë se kërkohet rivlerësim për vota të caktuara dhe është pikërisht kjo shprehja që zgjidh problemin pavarësisht se lexohet me zë të ulët. Është e nxitur politikisht sepse unë shikoj një koordinim shumë të mirë midis ankuesit i cili thotë se tavolinat janë të vogla. Dhe anëtarët kërkojnë numërim në Tiranë. Ky koordinim bëhet jo vetëm për të prishur punën e KQZ-së por dhe ecurinë normale.
Ky lajm është publikuar: 15/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›