E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE, Bozdo: Përafrojmë legjislacionin me atë të BE

TIRANË- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me GIZ, organizoi sot tryezën e rrumbullakët me temë “Diskutim mbi nevojat për ndryshime në legjislacionin tregtar”.  Në këtë aktivitet, bën të ditur zyra e shtypit e METE-s, ishte i pranishëm zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, ekspertë të GIZ, përfaqësues nga institucione shtetërore, përfaqësues nga shoqatat e biznesit, si dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

Në këtë tryezë u diskutua mbi mundësinë dhe nevojat për ndryshime në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Zv.Ministri Bozdo theksoi gjatë fjalës së tij se, METE në bashkëpunim me GIZ, do të marrë në konsideratë çdo propozim për ndryshime në këtë ligj dhe ftoi aktorët e pranishëm që propozimet e mundshme t’i adresojnë me shkrim pranë Ministrisë apo GIZ.

Bozdo theksoi se puna për procesin e reformës së legjislacionit tregtar në vendin tonë ka filluar në vitin 2006 dhe shprehu angazhimin e METE-s për vazhdimin e kësaj reforme, për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Nga ana e tyre, ekspertët e GIZ prezantuan drejtimet e mundshme ku mund të bëhen ndryshimet ligjore dhe u shprehën të hapur për të shqyrtuar çdo propozim nga ana e biznesit apo institucioneve shtetërore përkatëse.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›