E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE-CEZ-it: Rilidh energjinë për ujësjellësit, po dëmtohet turizmi

TIRANË-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), me anë të një njoftimi për shtyp, ka shfaqur shqetësimin e saj në lidhje me situatën e krijuar në disa qytete të vendit, pas ndërprerjes së energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujësjellësve nga kompania CEZ Shpërndarje.

METE i ka bërë thirrje kompanisë CEZ Shpërndarje që të rilidhë menjëherë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësave, duke i dhënë fund situatës së krijuar në disa qytete të vendit, sidomos në zonat turistike si dhe i bën me dije kompanisë CEZ Shpërndarje se këto veprime nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit të detyrimeve financiare që CEZ ka me institucionet shtetërore.
Ministria e Ekonomisë i bën thirrje drejtuesve të kompanisë CEZ që të marrin të gjitha masat për sigurimin e energjisë elektrike në këto zona, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimet që ka kjo kompani sipas Deklaratës Rregullatore.
Në këtë kontekst, METE konsideron të papranueshëm çdo mekanizëm presioni për arkëtimet e borxheve ndaj ujësjellës-kanalizimeve, duke vlerësuar se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së problemit, por është menaxhimi i keq i kësaj kompanie në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, e cila mban përgjegjësi të plotë për situatën e krijuar.

Edhe njëherë METE, në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka marrë të gjitha masat e duhura ligjore për shlyerjen në kohë të detyrime të ujësjellës-kanalizimeve ndaj CEZ, por njëkohësisht kërkojmë impenjim serioz nga drejtuesit e kësaj kompanie për shlyerjen e detyrimeve disa herë më të mëdha që kjo kompani ka ndaj dy kompanive KESH dhe OST.
METE gjithashtu në njoftimin e saj i bën me dije opinionit publik se ka ngritur një Grup Pune për të parë mundësinë e liberalizimit të tregut të shpërndarjes së energjisë elektrike.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: METE-CEZ-it: Rilidh energjinë për ujësjellësit, po dëmtohet turizmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›