E Diel, 1 Nëntor 2026

METE: Kini durim, po verifikojmë ofertuesit

Gazeta Shqip

Informacionet në media dëmtojnë procesin

Katër ditë pas paraqitjes së ofertave, Ministria e Ekonomisë mban ende të fshehur informacionin rreth firmave garuese në tender. Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sokol Dervishaj, që është edhe zv/ministër, deklaroi dje për kujdesin që duhet treguar nga ana e mediave sa u takon informacioneve që dalin në publik. Reagimi i mediave ishte si përgjigje ndaj heshtjes së METE-s dhe mungesës së plotë të informacionit. Të premten, kur u paraqitën ofertat, ministria publikoi vetëm çmimin për blerjen e 100 për qind të aksioneve të Albpetrolit dhe emrat e kompanive, që kryesisht ishin bashkim shoqërish dhe ku identifikimi i tyre rreth aktivitetit tregtar ishte i vështirë.

Sa i përket privatizimit të Albpetrolit, ju kërkoj durimin e nevojshëm për atë që po bën komisioni dhe të mos spekulohet. Gara ishte e ndershme dhe komisioni ka për detyrë të ndjekë rregullat dhe procedurat. Komisioni do të njoftojë për gjetjet në këtë proces. Çdo vendim do të jetë transparent, por në momentin e duhur, tha Dervishaj

Procesi i privatizimit të Albpetrolit konsiderohet tejet kompleks, pasi synimi kryesor i qeverisë ishte maksimizimi i vlerës së asetit publik që del për shitje. Në një paketë të vetme është futur jo vetëm mundësia për të eksploruar dhe më tej prodhuar në territorin shqiptar, sikurse është vepruar me marrëveshjet e tjera hidrokarbure, por duke pasur parasysh asetet e tjera që kompania zotëron, si baza mekanike, depozitat, tubacione, infrastruktura energjetike, burimet njerëzore, pronësinë intelektuale (studimet) etj., është arritur të krijohet një paketë e plotë.

Pra, një kompani që privatizohet me asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të saj, dhe në të njëjtën kohë brenda kësaj formule ndodhet edhe mundësia koncesionare për të investuar në nëntokën shqiptare dhe për të prodhuar naftë apo gaz natyror.

METE: Kini durim, po verifikojmë ofertuesit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›