E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE penalizon ACR me 56 milione leke

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot penalizimin e shoqërisë koncensionare “Albanian Chrome” sh.p.k, në masën 56 milionë lekë, për shkak të mos realizimit të investimeve të parashikuara në programin e investimeve.

Kontrollet e ushtruara nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore konstatojnë se, për periudhën 2007-2008, shoqëria ACR ka investuar 3 090 000 USD nё Minierën e Kromit Bulqizё, ndërkohë që investimet e kryera, në bazë të kontratës koncensionare që METE ka lidhur me ACR, duhet të ishin 3 400 000 USD.

Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezulton se, për vitin 2009 nuk ka pasur asnjë investim në minierën e kromit të Bulqizës nga shoqëria koncensionare “Albanian Chrome”.

Për këtë arsye, METE vendosi sot aplikimin e penalitetit prej 56 milionë lekësh për shoqërinë ACR, i cili duhet të shlyhet nga ACR brenda 20 ditësh nga marrja e njoftimit.

Vendimi i marrë sot nga ana e METE ka ardhur pas kontrolleve të vazhdueshme të kryera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe kontrolleve që janë kryer nga Grupi i Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar të shoqërisë koncensionare ACR.

Ky vendim bazohet në pikën 3.2 të Marrëveshjes së koncensionit, ku përcaktohet se: “....Mosrespektimi i punimeve sipas projektit në afatet e përcaktuara në kohe sipas nenit 3.1, në çdo fazë, e ngarkon koncesionarin që të paguaj një penalitet prej 0.05% në ditë të vlerës së investimit të parealizuar pas çdo dy muaj vonesë..”

Penaliteti i vendosur për shoqërinë “Albanian Chrome” është llogaritur për mosrealizimin të investimeve për 365 ditë vonesë (01.01.2009 deri 31.12.2009), referuar detyrimit për investime në Minierën e Kromit Bulqizë për periudhën 2007-2008.

Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania, pas raportit të hartuar nga Grupi i Punës së ngritur nga METE, për kontrollin e aktivitetit minerar të kësaj shoqërie koncensionare. Ky Pezullim i pjesshëm i lejes minerare të shoqërisë ACR është vendosur vetëm për Zonën D dhe do të vazhdojë deri sa të plotësohen mangësitë e konstatuara nga AKBN dhe RISHM-i. Në ditët në vijim, Grupi i Punës dhe AKBN do të zhvillojnë kontrolle edhe në objektet e tjera. METE garanton edhe një herë se do të vazhdojë të respektojë me përpikëri legjislacionin në fuqi, përsa i përket zbatimit të marrëveshjeve koncensionare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›