E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e ish-pronarëve gati deri më 15 gusht

27/07/2011  Cefa: Numri i aplikantëve që pritet të shpallen fitues këtë herë do të jetë i madh

Lista e ish-pronarëve që do të shpallen fitues për kompensimin financiar të këtij viti do të jetë gati 15 ditëshin e parë të gushtit. Kreu i AKKP-së, Elvis Çefa, thekson se bashkë me listën do të fillojë edhe ndarja e përfitimeve për ata që do të shpallen fitues. Kështu, duke filluar nga gjysma e parë e muajit gusht paratë e kompensimit do të jenë të aksesueshme në llogaritë bankare të deklaruara nga vetë subjektet e interesuara, të cilat do të shpallen fituese.

Shpallja e fituesve

Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, thotë se lista me fituesit e fondit financiar do të jetë gati, sapo agjencia të ketë përfunduar të plotë shqyrtimin e kërkesave të depozituara nga ish-pronarët. “Ne jemi akoma duke shqyrtuar kërkesat e depozituara nga ish-pronarët që kanë aplikuar për kompensimin financiar. Kërkesat e depozituara kanë qenë të shumta, çka do të thotë se dhe numri i aplikantëve që pritet të shpallen fitues për këtë herë do të jetë i madh”, tha Çefa. Kreu i AKKP-së shton se kompensimi i subjekteve të shpronësuara prona, e të cilëve është njohur për kompensim, do të bëhet sipas radhës kronologjike, mbi numrin dhe datën e vendimit. Kriteret e përzgjedhjes lidhen me vendimin që ka përcaktuar kompensimin e pronës. Ai duhet të jetë vendimtar, i ekzekutueshëm dhe kur vendimi për të cilin aplikohet nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Kompensimi do të bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Pas mbylljes së procesit të pranimit të kërkesave janë rreth 1012 aplikantë në listë për t’u zgjedhur fitues për kompensimin e këtij viti, ku Tirana ka numrin më të madh prej 377 aplikimesh.

Kriteret për kompensimin

Skema e kompensimit për vitin 2011 synon që kompensimi financiar këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera të shtrihet në një gamë më të gjerë përfituesish pra edhe kufizimet të jenë më të pakta. Në parim subjektet e shpronësuar nga regjimi komunist, prona e të cilëve është e njohur për kompensim përfitojnë kompensim financiar të pjesshëm të pronës së tyre. Vendimi i Këshillit të Ministrave, që lidhet me procesin e kompensimit në të holla ka përcaktuar rregulla të reja dhe kriteret për të përfituar kompensim financiar. Për vitin 2011 u përfshinë edhe të hollat e vitit 2010, pasi në këtë vit nuk u realizua procesi i kompensimit financiar ndaj fondet u bashkuan duke kapur shifrën rreth 1 miliard lekë. Sa më i hershëm në kohë të jetë vendimi aq më e madhe është mundësia për t’u kualifikuar. Nëse më parë pavarësisht nga sipërfaqja e njohur kompensoheshe vetëm për 200 metra katror tani kompensohesh deri për 600 metra katror, pasi është hequr kushti që po të kishe pasur kthime në natyrë nuk kompensoheshe financiarisht. Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit, sipas njoftimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes.

Si ka nisur procesi i

kompensimit financiar

Që prej vitit 2005 AKKP ka filluar aplikimin e kompensimit në të holla ndaj subjekteve të shpronësuara. Vlera e kompensimit financiar përcaktohet nëpërmjet hartës së vlerës së tokës në nivel fshati, komune, bashkie dhe qarku, hartë e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave. Harta e vlerës së tokës përditësohet sipas çmimeve të tregut. Fondi për kompensimin në të holla në vitin 2005 ishte 200 milionë lekë dhe u shpërnda i gjithi vetëm në Tiranë, pasi në atë kohë harta e vlerës së tokës ishte përfunduar vetëm për këtë qark. Në vitin 2006 fondi ishte 300 milionë lekë dhe u shpërnda në Tiranë dhe Kavajë. Në vitin 2007 fondi ishte 500 milionë lekë dhe shpërndarja e tij u shtri edhe për qarqet Berat, Korçë, Dibër, Kukës dhe qytetin e Vlorës. Duke filluar nga viti 2008 fondi ishte 500 milionë lekë dhe për herë të parë u shpërnda në të 12 (dymbëdhjetë) qarqet e vendit. Në vitin 2009 fondi për kompensim kapi shifrën rekord prej 1,25 miliardë lekësh. Në këtë vit për herë të parë, fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat nga privatizimet strategjike. Fondi i kompensimit për vitet 2010 dhe 2011 është 1 (një) miliard lekë. Në vitin 2011, për herë të parë fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat e vetë AKKP gjatë tjetërsimit të sipërfaqeve shtetërore për llogari të fondit të kompensimit financiar.

Përfitimi i parave

Shuma e të hollave të përfituara nga kompensimi financiar, e depozituar në llogarinë bankare, tërhiqet personalisht nga subjekti përfitues apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar. Pagimi i shumës së depozituar në favor të subjekteve përfitues bëhet pas paraqitjes të së gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›