E Shtunë, 31 Tetor 2026

MF: Rama demagogji për pensionet e ish-ushtarakëve

Sipas kësaj ministrie, akti normativ i depozituar në Parlament synon të vendosë drejtësi sociale dhe trajtim të barabartë para ligjit për sa i takon trajtimit të shtetasve shqiptarë.

Më tej, kjo ministri sqaron se nëse do të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vetëm ky grup personash do të merrnin pension sa 180 mijë pensionistë në fshat.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese një ish ushtarak që nuk ka plotësuar moshën për pension dhe ka vetëm 27 vjet punë përfiton një pagë mujore të barabartë me 107 300 lekë të reja në muaj. Kjo kur një nënë që ka punuar 27 vjet dhe nuk ka plotësuar vitet për pension, merr sipas ligjit vetëm 7960 lekë. Ndërkohë që qeveria ka kompensuar nga buxheti i shtetit diferencën, për të garantuar një pension prej 11 400 lekë për këtë kategori”, sqaron ministria në fjalë.

Sipas deklaratës, me këtë vendim të qeverisë është synuar të krijohet drejtësi në trajtimin e shtetasve para ligjit, sigurisht duke i njohur të drejtën e pensionit suplementar ish ushtarakëve që shkon sipas propozimit të qeverisë deri në trefishin e pensionit minimal të qytetit dhe katërfishin e pensionit mesatar në fshat.

“Në këtë mënyrë zhurma që bën kryetari i PS-së për trajtimin e ish ushtarakëve me pension të posaçëm është thjesht demagogji politike. Partia e tij në 8 vite qeverisje nuk guxoi të merrte përsipër miratimin e një ligji të tillë, ndaj dhe e miratoi atë kur po largohej nga pushteti në muajin maj të viti 2005. Edhe një herë qeveria garanton të gjithë  ish-ushtarakët që trajtohen me pension të parakohshëm, se do të respektojë frymën e ligjit për të mbështetur me prioritet disa kategori sociale”, përfundon reagimi. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-14 17:09
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›