E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjet PD, Berisha: Ditëlindja e lirisë së shqiptarëve

Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku ishin të pranishëm figurat kryesore dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, përkujtoi lëvizjen studentore të dhjetorit ‘90 që çoi edhe në krijimin e të parës parti opozitare në historinë e vendit.

Kreu i PD-së solli në vëmendje edhe ngjarje historike të rëndësishme që çuan në rrëzimin e komunizmit në Evropë. “Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe pathyeshmëria e saj, prosperiteti i botës së lirë, dështimi total i doktrinës marksiste të ekonomisë dhe Akti i Helsinkit ishin faktorët më madhorë që përcaktuan agoninë e më pas falimentimin e pashmangshëm të sistemit socialist”, tha Berisha.

Sipas tij, rënien e komunizmit në Evropë shqiptarët e pritën me organzimin e demostratave të fuqishme në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë. “Ndryshe nga regjimi hoxhist mendonin intelektualët shqiptarë që ngritën zërin e tyre kundër izolimit dhe kërkuan hapjen e vendit, respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore, lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij”, nënvizoi kryeministri.

Duke kujtuar 8 dhjetorin e 1990-ës, Berisha tha se lëvizja studentore e mbështetur nga intelektualët dhe qytetarët e Tiranës detyroi klikën në pushtet të firmoste në 11 dhjetor kapitullimin e vet. “Po atë ditë do të themelonim pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e parë opozitare në historinë e vendit”, shtoi Berisha.

                                                                                             2010-12-14 20:42
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›