E Shtunë, 31 Tetor 2026

MIE jep informata për statusin e shërbyesve të saj civilë

Pas publikimit të një bisede ndërmjet kreut të Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, dhe ministres për Integrime, Vlora Çitaku, ku Grabovci kërkon që Vlora t’ia punësojë në Ministri një të njohur, kurse ajo përgjigjet se për këtë do të bisedojnë një javë më vonë, pasi të kthehet nga vizita në SHBA, Ministria e Integrimeve Evropiane (MIE) sot ka lëshuar një komunikatë për opinion me të cilën i quan të rrejshme informatat në lidhje me statusin dhe gjendjen e shërbyesve civilë në kuadër të MIE.

Sipas këtij reagimi, MIE disponon me një nga shërbimet më profesionale në kuadër të institucioneve në Republikën e Kosovës. “Niveli akademik i stafit të ministrisë është ndër më të mirët në tërë Ballkanin. Nga 59 shërbyes civilë, mbi 65% kanë grada akademike post-diplomike, 30% janë të diplomuar dhe më pak se 5% me shkollë të mesme. Shkollimi i stafit është bërë në universitetet më prestigjioze evropiane. Mbi 85% të stafit flasin dy gjuhë. Niveli i ngjashëm i lartë profesional dhe akademik gjendet edhe në kabinetit politik të ministres Çitaku.

“Sa i përket kryerjes së përvojës praktike pa pagesë, MIE ka qenë dhe do mbetet gjithnjë e hapur për të gjithë studentë pa dallime politike dhe etnike. Praktikantë në MIE ka pasur nga e gjithë bota”, shkruan pos tjerash MIE dhe në fund dërgon edhe listën e stafit të kësaj ministrie, pozitat e tyre, vitin e punësimit dhe gradat akademike./Indeksonline/   

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›