Premtime për Veternik
Partia Demokratike e Kosovës ka themeluar të premten Nëndegën e saj në lagjen “Veternik” të Prishtinës, Kryetar i së cilës u zgjodh deputeti i kësaj partie, Berat Buzhala.
Buzhala para bashkëbanorëve të tij në lagjen Veternik foli për një qeverisje të mirë lokale.
“Ne nuk mund të flasim për Veriun se për atë flasin zyrtarët qeveritarë, por ne mund të flasim për rrugë më të mira, për shkolla, për rrymë, ujë dhe kanalizim, pra për problemet tona , për t’i zgjidhur ato”, tha ai.
Disa fjalë për infrastrukturë më të mirë folën edhe përfaqësuesit e lartë të PDK’së, të cilët ishin të pranishëm në themelimin e nëndegës.
Madje, nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi banorëve të asaj lagjeje ua premtoi një shkollë për 2013’ën. “Ju premtoj se shkollën për këtë lagje do ta nisim vitin tjetër, sepse është obligim i papërmbushur”, tha Kuçi. Për premtimin e tij ndërkaq banorëve, të cilët kishin vendosur të bëhen pjesë e nëndegës së PDK’së, Kuçi la edhe një dorëzanë.
“Dorëzanë e keni Kadriun”, tha Zëvendëskryeministri Kuçi, duke iu drejtuar ish-shefit të SHIK’ut, tashmë anëtar i PDK’së, Kadri Veseli e i cili ishte i pranishëm në tubim.
Veseli para të pranishmëve foli për familjen dhe rëndësinë e zhvillimit të saj, duke premtuar se ai dhe partia e tij do të punojnë për të gjithë për një jetë më të mirë për qytetarët.