Takimi i radhës Thaçi – Daçiq, të martën

Kryeministri i Serbisë, Daçiq, për mediat serbe, e ka konfirmuar shkuarjen e tij në raundin e ri të bisedimeve.
“Në interes të Serbisë është vazhdimi i dialogut. Nuk jemi në situatë të zgjedhim me kë do të bisedojmë”, ka thënë ai gjithnjë duke aluduar në zërat serbë se pas vendimit më të fundit të Tribunalit të Hagës, do t’i duhet të takohet edhe me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, drejtori i zyrës për bashkëpunim mediat në Qeverinë e Serbisë, Millivoje Mihajlloviq ka thënë se Daçiq ka propozuar që dogana të mos paguhet, siç, ka thënë ai, në vendkalimet administrative.
“Presim që edhe për këtë të bëhet fjalë në raundin e ri të bisedimeve. Nëse diçka thjeshtë do të paguhet, ekziston mundësia që një pjesë e parave nga Bërnjaku dhe Jarinja t’u adresohet komunave në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Bisedojnë edhe të hënën
Pala kosovare dhe ajo serbe i kanë vazhduar bisedimet për menaxhimin e integruar të kufirit në Bruksel. Shefi i ekipit serb, Dejan Pavicevic ka thënë se janë arritur disa marrëveshje që kanë të bëjnë me këtë çështje. Ai ka paralajmëruar se në takimin e ardhshëm do të marrë pjesë edhe Edita Tahiri. Në Prishtinë nuk është thënë asgjë për këto bisedime.
Prishtina dhe Beogradi kanë vazhduar bisedimet mes vete në Bruksel për çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit, që do të fillojë të zbatohet më 10 dhjetor.
Delegacionet e dy palëve kanë biseduar të enjten dhe të premten, derisa pritet të vazhdojnë edhe në fillim të javës së ardhshme.
Për këto zhvillime ka folur Dejan Pavicevic, shef i delegacionit serb i ngarkuar për bisedime teknike.
Sipas tij, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur pajtueshmëri që në pikëkalimet kufitare të ketë numër të barabartë të doganierëve të Kosovës dhe Serbisë, derisa qëndrimi i palës serbe vazhdon të mbetet se EULEX’i duhet të ketë rol ekzekutiv në këto pika.
Pavicevic ka deklaruar se pikat kufitare në Jarinje, Konçul dhe Merdarë do të fillojnë punën më 10 dhjetor.
Marrëveshja për këtë çështje ishte arritur gjatë takimit të fundit Thaçi - Dacic me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.
Derisa, sipas Pavicevic, edhe tri pikëkalime tjera pritet të hapen deri në fund të vitit.
Ai ka thënë se tani për tani mbetet e paqartë se kush do të mbledhë të ardhurat nga doganat.
Kjo çështje është e rregulluar me pakon e Ahtisaarit, ku parashihet që kjo të ndodhë përmes institucioneve qendrore të Kosovës.
Serbët e Veriut kanë kërkuar që të hyrat t’u shkojnë komunave në pjesën veriore, por pala serbe për këtë çështje është ende duke u biseduar.
Shefi i ekipit serb ka thënë se punët në pikëkalime janë duke u zhvilluar, por objektet nuk do të jenë saktësisht në kufi për shkak se një gjë e tillë është e pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, por do të vendosen në distancë dhjetëmetërshe brenda vijës kufitare.
Pikëkalimet e Konçulit dhe Jarinjës do të jenë në territorin e Serbisë, derisa ajo në Merdarë do të jetë brenda territorit të Kosovës.
Pavicevic ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë të hënën, derisa ka njoftuar se në emër të Kosovës bisedimet do t’i zhvillojë Edita Tahiri. Pala kosovare nuk ka njoftuar asgjë rreth këtyre takimeve.