E Shtunë, 31 Tetor 2026

MIK, në të gjitha pikat kufitare me Serbinë

Raundi i tetë i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve, ka zgjatur tre ditë dhe ka rezultuar me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe me përparime lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e kaluara- thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë raund është provuar t’i jepet zgjidhje po ashtu çështjes së Bashkëpunimit Rajonal, Telekomunikacionit dhe Energjisë, por pa sukses ngase pala serbe ka treguar jogatishmëri duke u përpjekur që të propozojë zgjidhje në shpërputhje me realitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe në kundërshtim me parimet evropiane”, theksohet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Më tej, bëhet e ditur se delegacioni i Kosovës është angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve në dobi të interesave shtetërore të Kosovës, si dhe në përmbushje të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Njoftohet se udhëheqësja e delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, edhe në këtë raund të dialogut ka këmbëngulur për implemetimin e plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura deri në dialogun teknik, ku me këtë rast janë zhvilluar edhe takime në nivel ekspertësh që kanë konfirmuar se marrëveshja për kthimin e librave amëz do të fillojë së zbatuari nga data 5 dhjetor dhe ajo për lirinë e lëvizjes nga data 26 dhjetor 2011. Po ashtu edhe për marrëveshjet tjera janë hartuar planet e veprimeve dhe zbatimi i plotë i tyre do të bëhet sipas dinamikës së përcaktuar.

“Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, është arritur në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjit dhe strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, dhe plotësisht në frymën e standardeve të larta evropiane dhe në përputhje me Traktatin e Lisbonës, legjislacionin dhe kritereve BE-së. Kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, sipas konceptit evropian për menaxhimin e kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve dhe se me pranimin e marrëveshjes Serbia praktikisht ka njohur kufirin ndërshtetëror me Kosovën. Shteti i Kosovës tashmë zbaton marrëveshje të tilla me shtet tjera fqinje, Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe së shpejti pritet të nënshkruhet marrëveshja me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, theksohet se kjo marrëveshje ndihmon në përafrimin tonë me BE-në dhe e konfirmon agjendën e BE-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Zbatimi i kësaj marrëveshje i kontribuon funksionimit më të mirë të sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës e me theks të veçantë në zonën kufitare ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja ka për qëllim sigurinë më të lartë kufitare sipas praktikave më të mira evropiane, të cilat avancojnë në mënyrë progresive nga Komisioni Evropian.

Menaxhimi i Integruar të Kufirit, do të zbatohet në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë, dhe konform legjislacionit të secilit shtet. Kjo do të zbatohet sa më parë që është e mundur nga aspekti praktik dhe për këtë qëllim do të hartohet dhe nënshkruhet edhe Protokolli Teknik.

Marrëveshja në fjalë mohon kategorikisht çdo përpjekje të Serbisë për ta politizuar konceptin evropian të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, e po ashtu shprehimisht hedh poshtë pretendimet e palës serbe për të imponuar zgjidhje që kanë implikime politike dhe që dalin jashtë standardeve evropiane për këto çështje.

Ndërkaq, për marrëveshjet e Bashkëpunimit Rajonal, Energjisë dhe Telekomunikacionit, si dhe në përcjellje të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, konsultimet e delegacionit të Kosovës me ndërmjetësit e BE-se do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›