ÇMIMI I DYTË, APO DYTËSOR
Ditë më parë gazeta Express u mundua që pak a shumë të sqaronte arsyet që e kishin shtyrë aktorin Lirak Çelaj për të refuzuar çmimin me të cilin u shpërblye në edicionin e 41’të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Çelaj u shpërblye me për rolin e Helverit në dramën “Nata e Helverit”. Por, çfarë ndodhi?
Edhe pse Çelaj në shfaqje interpretoi njërin prej dy roleve kryesore, organizatorët e Festivalit ia ndanë atij çmimin për rolin më të mirë dytësor.
Fadil Hysaj, njëri prej anëtarëve të jurisë së Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ndërkohë sqaron se ky ishte vetëm një keqkuptim dhe një formulim i gabuar, ngase Çelaj me vendimin e të tre anëtarëve të jurisë, Rozi Kostanit, Besim Rexhajt dhe Fadil Hysajt, u shpërblye si aktori i dytë më i mirë.
Por, duket se as pas sqarimit të Hysajt gjërat nuk u sqaruan fare Çelajn. Sepse, sipas tij, ajo që ndodhi ishte e pakuptimtë dhe krejtësisht e paqartë, madje edhe e dyshimtë.
Juria profesionale e festivalit dërgoi të martën në adresë të gazetës një sqarim përkitazi me refuzimin e, siç thuhet në letër, çmimit për rolin e dytë të mashkullit nga aktori Lirak Çelaj.
Në letrën e jurisë së festivalit nënvizohet se “refuzimi i çmimit me motivacionin dhe shpjegimin se roli i Helverit në shfaqjen e përmendur nuk është rol dytësor, është një shpjegim i cili nuk është në përputhje me formulimin dhe domethënien e Rolit të Dytë të Mashkullit”, që është formulim zyrtar dhe i saktë i çmimit të Festivalit.
“Megjithëse dallimi midis çmimit Rol i Dytë dhe Rol Dytësor vetvetiu është i qartë dhe, si i tillë, pothuajse nuk kërkon qartësim, për hir të opinionit publik dhe të moskuptimit të tij nga aktori i nderuar, Lirak Çelaj, po e themi se ky shpjegim themelor e qartëson domethënien dhe dallimin midis tyre”, thuhet në letrën e jurisë.
Tutje, sipas sqarimit të jurisë, “kur bëhen rangimet dhe klasifikimet e ndryshme, jo rrallë theksohet e shkruhet se vendi i parë dhe i dytë, apo i tretë, përkatësisht çmimi i parë, i dytë ose i tretë në ndonjë garë sportive ose festival filmi apo teatri, i jepet këtij apo atij sportisti, ekipi, ose aktori”.
“Sigurisht që për këto shpërblime nuk mund të thuhet se janë dytësore, qoftë kur në tabelë e shohim një ekip në vendin e dytë, apo kur një sportist radhitet në pozitën e tretë, sepse këto nuk janë çmime dytësore. Ndërkaq, për çmimet e tjera, që nuk janë tri çmimet e para, dhe varësisht nga tradita gjuhësore, mund të thuhet se janë çmime dytësore”, sqaron juria në letrën e saj.
Por edhe pas kësaj letre, për aktorin Çelaj e gjithë kjo situatë mbetet e paqartë dhe e pakuptimtë.
Duke u bazuar në përvojën e tij, Çelaj thekson se në asnjë festival të filmit ose të teatrit nuk i kujtohet të ketë parë ndonjë rast kur bëhen dy nominime për vendin e parë dhe të dytë.
“Ndodhë që ndahet çmimi i parë, në rast se janë mbi dy-tre çmime, por zakonisht bëhet vetëm një nominim dhe mund të ndahen një, dy ose tri vende, e jo të bëhet edhe një rinominim tjetër”, thekson Çelaj. Ai madje argumenton se nuk është logjike që të bëhet një nominim me tre-katër veta – sa edhe kanë qenë në këtë rast, që njëri të fitojë vendin e parë, dhe që pastaj të bëhet edhe një rinominim për vendin e dytë.
“A nuk është logjike që, nëse ata tre ose katër veta janë kualifikuar për nominim për vendin e parë, njëri prej tyre të jetë edhe i dyti. Natyrisht, po qe se do të ishte në atë regjistrin që po thonë ata”, thotë Çelaj, sipas të cilit e gjithë kjo situatë paraqet vetëm një arsyetim për mbulimin e një gabimi, që është bërë qëllimshëm.
“Pas kësaj letre dëshmohet edhe njëherë kjo që po e them unë. Sepse, roli i dytë dhe dytësor është krejt e njëjta gjë, por është vetëm çështje e terminologjisë së përdorur. Tani ata po manipulojnë me çështje të terminologjisë. Disi, sikur po përpiqen që të më bëjnë budalla”, thotë ai, derisa shton se, për hir të opinionit, vetëm ka dashur ta qartësojë pozicionin e tij.
Madje, sipas Çelajt, shumë më mirë do të ishte që juria ta lërë këtë punë si një gabim, “sepse sa më shumë që po japin këso sqarimesh, aq më thellë po hyjnë në baltë”.