MINATORI PA NUMER
Sot po shkruaj për një temë që rrezikon të mos e lexojë njeri. Në Bulqizë u varros i gjallë një tjetër minator dhe kjo s‘bën më lajm. Aq nuk bën më lajm, sa jam i bindur që një pjesë e juaja do kaloni në faqen tjetër të gazetës që pas këtij rreshti. Megjithatë unë po vazhdoj për ata pak të tjerë që, ose u ka mbetur ende ndërgjegje, ose që s‘kanë mbaruar akoma kafenë e mëngjesit dhe kështu u duhet ta lexojnë gazetën rresht më rresht.
Kur vdiqën minatorët e parë, bënin bujë. Politikanët vrapuan t‘i ngushëllojnë atje mes maleve, ndërsa ministri la ministrinë te sheshi "Skënderbej" dhe u ngrit e shkoi atje ku Skënderbeu kish luftuar prej vërteti dhe ku pasardhësit e heroit po vdisnin si minjtë nën dhé. Gazetarët mbushën gazetat dhe kameramanët filmat. Shkrova dhe shkruaj edhe unë, ky është shkrimi i katërt. Mirëpo minatorët vazhduan të vriten e shtypen shpellave të Bulqizës me një ritëm që ministrit s‘i dilte më koha të ndiqte edhe privatizimet në Tiranë edhe xhenazet në Bulqizë. Duhej të zgjidhte dhe zgjodhi privatizimet.
Diku nga mesi i vitit të shkuar thanë që të lanin duart duke u bërë një monument të vdekurve. E derdhën në bronz, bënë një miting ditën e përurimit, u përbetuan për shpirtrat e tyre dhe ikën, ministrat në Tiranë dhe bulqizakët në vrimat e tyre. Pas dy javësh, monumenti prej bronzi u vodh dhe përfundoi për skrap në Mal të Zi. Më mirë kështu, se të paktën shërbeu për diçka, për t‘u mbushur barkun me bukë atyre që e vodhën. Monumentet janë shpikje e botës moderne për të nderuar të rënët sipas kauzës për të cilën janë vrarë. Por, kushti i parë që një monument të mbijetojë, është që përreth tij të mos mbretërojë uria. Mes të uriturve monumenti është luks absurd dhe nuk meriton tjetër fat, veç të shitet për të zbutur urinë. Skllevërve që ngritën piramidat tremijë vjet më parë, mund t‘u ngremë shtatore bronzi vetëm sot që e kemi kaluar epokën e urisë, se, po t‘ua ngrinim atëherë kur sfiliteshin për të ngritur gurë, do qe tallje e madhe.
Edhe gazetarët i mërziti kjo puna e minatorëve që vdesin kështu njëri pas tjetrit dhe gjithnjë e më tepër kolona që shkruante për të shtypurin e radhës, sa vjen e shkurtohet. Ca syresh humbën edhe radhën e të numëruarit dhe sot s‘gjen dy gazeta që t‘i vënë numrin e saktë të vdekurit të radhës. Për këtë fatkeqin e fundit, ca thanë se qe i shtatëmbëdhjeti, ca thanë i nëntëmbëdhjeti, e ca të tjerë i njëzeti.
Qeveria tashmë mund të rrijë e qetë në Tiranë. Në një vend ku shtypen njëzet vetë nën dhé dhe s‘bëzan njeri, nuk mund të pritet më asgjë. Halli ishte tek i pari, i dyti e i treti. Pas të tretit, tani ata nuk janë më lajm, por vetëm numra që ngatërrohen nga një gazetë në tjetrën. Po ju e mbaruat kafen tani? Si ishte bërë?
GRUSHTI I SHTETIT
Të mërkurën u thirrën në gjyq 4 gjeneralë dhe një karvan kolonelë e funksionarë të tjerë të lartë të mbrojtjes. Me ç‘di unë, ne gjithsej kemi nja 6 gjeneralë dhe kjo do të thotë se 2/3 e tyre paskan probleme me drejtësinë. E thënë ndryshe, është njësoj sikur të çonin në gjyq në Amerikë njëherësh nja 300 gjeneralë, apo në Turqi njëherësh të çonin në gjyq nja 40 gjeneralë. Ju siguroj se, pa një pa dy, në këto vende do të ndodhte grusht shteti, pasi, kur e gjithë komanda e ushtrisë çohet në gjyq, ose ata janë komplotistë dhe në këtë rast do bënin grusht shteti për të shpëtuar kokën; ose ata janë në rregull dhe është çmendur shteti, ndaj ata duhet të bëjnë grusht shteti për të vënë gjërat në vend. Po këtu pse nuk ndodhi asgjë?
Ndodhi, por ne nuk morëm vesh gjë. Të martën, gjeneralët dhe kolonelët morën fletëthirrjet për në gjyq. Gjatë natës, ata mblidhen dhe vendosin të fillojnë puçin. Të mërkurën në mëngjes, gjenerali merr në telefon kolonelin dhe e urdhëron: "Nxirr tanket në rrugë". Përgjigjja: "Si urdhëron zoti gjeneral, por ne nuk kemi më asnjë tank, se i kemi shitur për skrap". "Lëri tanket. Merr gjeneralin e aviacionit dhe ngri avionët në fluturim mbi Parlament. Shef, gjeneralin e aviacionit po e marr se është kollaj, po ne nuk kemi më asnjë avion luftarak". Dhe koloneli i shpjegon shefit të vet se, në kohën e Enverit ushtria nuk arriti të kishte asnjë gjeneral aviacioni, por kishte aviacion ama, ndërsa sot ne kemi gjeneral aviacioni, por nuk kemi më asnjë avion. "Varja", e ndërpret nervoz gjenerali, "shko merr nja njëzet diagaçe, mbushi me ushtarë dhe rretho Parlamentin". "Si urdhëron shef, ja sa të shkoj të bëj aplikimin për letërnjoftimin, se nuk marr rrogën në fund të muajit pastaj". "Lere ore letërnjoftimin dhe shko merr diagaçet".
Koloneli merr në telefon nënkolonelin dhe i thotë: "Urgjent, njëzet diagaçe të ngrihen në alarm". Përgjigjja: "Si urdhëron zoti kolonel, diagaçe kemi, po s‘kemi naftë". "Fol një herë me ata të ‘Taçi Oil‘ ose të ‘Alpet‘-it, se mos të japin paradhënie ca bidona, sa të bëjmë tenderin dhe nisu".
Nënkoloneli merr në telefon majorin dhe i thotë: "Urgjent, sill ushtarët për të mbushur njëzet diagaçe". Përgjigjja: "Si urdhëron zoti nënkolonel, vetëm se nuk kemi ushtarë për aq, se nga të rinjtë, ata që kemi mobilizuar me polic, janë akoma me atlete, ndërsa nga të vjetrit kanë mbetur vetëm ca evgjitë që nuk na ikin se s‘kanë ku venë".
Majori merr në telefon kapitenin dhe i thotë: "Urgjent, njëzet shoferë diagaçesh të mobilizohen në alarm". Përgjigjja: "Si urdhëron zoti major, po ku i kemi ne njëzet shoferë. Të shof se mos i bëj aq, duke mbledhur ca kaptera që dinë t‘i japin makinës". "Nisu atëherë". "Si urdhon shef, po edhe këta vetëm mbasdite mund të vijnë, se paradite punojnë shofera taksie privat".
Kapiteni merr në telefon togerin: "Urgjent, nisi forcat për të rrethuar Parlamentin". Përgjigjja: "Si urdhëron zoti kapiten, po fol një çik me ndonjë nga të policisë, të na japin nja dy policë që ta shoqërojnë karvanin rrugës, që të mos i ngacmojë njeri".
Pasdite gjenerali merr në telefon oficerin në terren: "Urgjent, trupat të hapen në formacion luftimi rreth Parlamentit". Përgjigjja: "Si urdhëroni shef, po kemi një hall këtu te rruga e Parlamentit. Bashkia ka hapur një kanal se kanë gjetur ca mure antike dhe diagaçet s‘kalojnë dot, ndërsa nga ana tjetër nuk kalohet se i ka dalë pronari lulishtes dhe s‘na le. Pastaj, ca nga jevgjit që kishim marrë ushtarë, na ikën kur ju thamë se do niseshin me detyrë. Nafta që na dha ‘Armo‘ ishte me shumë pisllëqe dhe na bllokoi filtrat e diagaçeve, kapterat që kisha marrë për shofera ikën se ju vajti ora për të punuar taksi, koloneli iku se kishte hallin e rrogës dhe kam ngelur vetëm këtu me pronarin e lokalit përballë Parlamentit, që nuk më lejon ta ndaloj autoblindën këtu, se i kam zënë tabelën e dyqanit. Pres urdhra".
"Vari hejben grushtit të shtetit, lere fare këtë punë dhe kthehu në kazermë".
Gjeneralët vendosën të deklaronin se nuk mund t‘i ngrinin kurrë armët kundër popullit të tyre.