MITROVICE-STATUS QUO
Gjendja e status quo-s në Mitrovicë po vazhdon, përderisa institucionet nuk kanë strategji afatshkurtër se si ta kthejnë kete qytet ne funksion. Që nga shpallja e pavarësisë, në pjesën veriore të Kosovës nuk funksionon asnje institucion.Vetëm siguria mbetet nën kontrollin e KFOR-it. Dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Edhe ato pak institucione që administroheshin nga UNMIK-u deri më 17 shkurt, tanimë gjenden jashtë këtij kontrolli. Gjykatat e vendosura në veri nuk po funksionojnë prej dy muajsh, ndërsa pikat doganore të djegura në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë, nuk janë hapur më fare. Autoriteti i vetëm ndërkombëtar që ka situatën nën kontroll, si para dhepas shpalljes se pavarësisë, mbetet KFOR-i. Ky fakt është pozitiv sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, pavarësisht se, sipas tij, institucionet vitale janë jashtë funksionit në veri. Më 19 shkurt, në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë, serbët dogjën dy pika doganore në Leposaviq dhe Zubin Potok. Që atëherë, doganat nuk funksionojnë. Hekurudhat e Kosovës nuk kanë mundur të shtrijnë kontrollin mbi segmentet hekurudhore që gjenden në veri, që nga 3 marsi, kohë kjo kur Hekurudhat e Serbisë deklaruan se tani ato ushtrojnë kontrollin në veri. Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se kthimi i kontrollit mbi institucionet, si në gjykata apo dogana, do marrë kohë për shkaqe sigurie. Qeveria nuk jep ndonjë afat kohor, as për zbatimin në praktikë të premtimeve për përmirësimin e jetës së komunitetit serb, gjë për të cilën Zenun Pajaziti mendon se do të jetë çelësi i integrimit të serbëve në institucione. Por, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në komunat e banuara me shumicë serbe, në mesin e vëzhguesve shton frikën se institucionet e Kosovës nuk do të mund të shtrijnë kontrollin atje dhe se do të instalohen përfundimisht dy pushtete paralele