MKRS prezantoi strategjinë që adreson kërkesat dhe brengat e të rinjve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) mbajti sot konferencën prezantuese të Strategjisë Kosovare për Rininë 2013-2017 dhe Planin e Veprimit 2013-2015, i cili është një dokument strategjik që ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve në Republikën e Kosovës. Në konferencë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorja e Francës, Maryse Daviet, ambasadori i Sllovenisë, Jozef Hlep, përfaqësues të institucioneve të tjera ndërkombëtare si UNICEF, Banka Botërore, USAID, OSBE—ja, si dhe përfaqësues të qendrave rinore dhe organizatave joqeveritare rinore.
Në fjalën e tij, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi vlerësoi se të rinjtë që jetojnë në Republikën e Kosovës përbëjnë pasurinë kryesore të saj dhe kësisoj shteti duhet të ketë në konsideratë këtë pasuri dhe ta mbrojë atë. E duke e pasur parasysh këtë fakt, ministri konsideroi se mbështetja ligjore është një nga elementet më të rëndësishme për funksionimin dhe organizimin më efikas të kësaj pasurie. “Strategjia Kosovare për Rininë 2013-2017 dhe Plani i veprimit për rini 2013-2015 është padyshim një dokument juridik i rëndësisë së veçantë, që është hartuar së fundi me qëllim të krijimit të kushteve për fuqizim të mëtejmë të rinisë në vendin tonë. Për këtë arsye më duhet të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë e dhanë mundin e tyre në hartimin e saj, e para së gjithash Departamentin e Rinisë që e udhëhoqi këtë proces,” deklaroi ministri Krasniqi.
Ai gjithashtu premtoi se MKRS-ja do të vazhdojë së përkrahuri rininë dhe të përcjellë nevojat e të rinjve dhe të intervenojë kudo që konsiderohet e nevojshme e një shembull i përkrahjes është edhe kjo strategji që në aspektin legjislativ është një dokument që i adreson kërkesat dhe brengat e të rinjve në mënyrë përmbajtjesore. “Për të rinjtë në do të jemi në mbështetje të vazhdueshme për sektorin e rinisë në Republikën e Kosovës sepse është pjesa më e rëndësishme e thesarit shoqëror. Rinia është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kështu ne por krijojmë një standard të që do të implementohet në vazhdimësi nga ana e MKRS-së, edhe në vitet e ardhshme”, theksoi ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi.
Ndërsa zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, Strategjinë Kosovare për Rini e quajti shumë përmbajtjesore dhe premtoi se Ministria e Financave do të ketë gjithnjë në prioritet kërkesat që do të vijnë për projektet që lidhen me rininë, duke e konsideruar këtë të fundit si shtresën më të rëndësishme të popullatës sonë. “Ne shpeshherë dëgjojmë se Kosova ka pasuri natyrore, Kosova ka resurse por unë gjithmonë e kam thënë se resursi më i madh që ka Kosova, janë resurset humane, janë të rinjtë të cilëve do duhet t’u lejohet mundësi që ata të shkollohen dhe t’u hapet perspektivë në zhvillimin e vendit,” tha zv. ministri i Financave, Ramadan Avdiu.
Kjo konferencë një ditore u organizua në pesë sesione: Promovimi i Edukimit jo-formal, Punësim dhe Ndërmarrësi; Zhvillim i Politikave Rinore; Parandalim dhe Integrim Shoqëror; Përfaqësimi i Organizatave ndërkombëtare dhe Përfaqësimi i organizatave lokale.
Strategjia përbëhet nga dy pjesë: nga dokumenti bazë i strategjisë dhe nga plani i veprimit, i cili përmban një plan të aktiviteteve, që parashikohen gjatë kësaj periudhe, duke u bazuar në shtyllat qendrore të Strategjisë, që janë: pjesëmarrja e rinisë; edukimi joformal; punësimi dhe ndërmarrësia; shëndeti, edukimi dhe promovimi shëndetësor, siguria njerëzore; sporti, kultura dhe rekreacioni./Indeksonline/