E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në KQZ, Kuvendi shtyn votimin për të hënën

Kuvendi i Shqipërisë ka shtyrë për të hënën votimin e zëvendësimit të anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me një kandidat të propozuar nga Partia Republikane, që tashmë është forcë e dytë politike në koalicionin qeverisës. Në fakt, pritej që votimi të kryhej sot dhe në seancën plenare të kësaj të enjte të zhvilloheshin debate të ashpra. Ndërkohë, në mëngjes, Partia Socialiste vendosi që të votojë kundër ndryshimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në mbledhjen e një dite më parë të Komisionit të Ligjeve, u miratua me votat e Partisë Demokratike kërkesa e bërë nga kjo forcë politike për largimin nga detyra e anëtarit të KQZ-së, të përfaqësuesit të LSI-së, Ilirjan Muho, dhe zëvendësimit të tij me një prej dy kandidatëve të propozuar nga Partia Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo.

Lidhur me këtë çështje është prononcuar edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i cili ka thënë se do të kërkojë sqarim në lidhje me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Gjatë një prononcimi për media, Wollfarth ka theksuar se duhet shpjeguar baza ligjore me të cilën është ndërmarrë një vendim i tillë, ndërsa ka kërkuar që institucionet të marrin vendime të kujdesshme dhe me konsensus. “Aspektet politike varen nga palët politike, por aspektet ligjore duhet të jenë në vëmendje të të gjitha palëve. Duhet të shohim bazën ligjore me të cilën është marrë një vendim i tillë. Do të kërkojmë edhe një sqarim, sigurisht që kjo kërkon kohë dhe për këtë arsye çdo vendim duhet të merret me kujdes të madh dhe konsensus”, theksoi ambasadori. Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së ka apeluar që KQZ-ja nuk duhet të shihet nga palët si një organ politik. “Detyra e anëtarëve të KQZ-së nuk është politike. E rëndësishme është që çdo hap që merret për KQZ-në të jetë i bazuar në ligj”, ka thënë ai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›