MM i përgjigjet PS-së: Kontrolli administrativ, për transparencë
Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë akuzat e opozitës lidhur me blerjen e mallrave ushtarake. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e këtij dikasteri Lorisa Ylli tha se akuzat akuzat e opozitës janë të bazuara në fakte jo reale, duke shtuar se i gjithë procesi për blerjen e armatimeve ka qenë transparent.
“Sa i përket të ardhurave të grumbulluara nga shitja e mallrave ushtarake, ato përdoren konform ligjit dhe shpenzimet janë të kontrollueshme. Ato përdoren për procesin e demontimit të municioneve të tepërta si dhe për modernizimin e Forcave të Armatosura, bazuar në udhëzimin e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave për përdorimin e të ardhurave të saj”, u shpreh zëdhënësja e ministrisë, Lorisa Ylli.
Ministria e Mbrojtjes sqaroi dhe anonçimin e bërë nga deputeti i PS-së për një urdhër të Kryeministrit për kontrollin e procedurave të import-eksportit të mallrave ushtarak, duke e konsideruar kontrollin administrativ një nga mjetet kryesore në funksion të transparencës dhe zbatimit të ligjshmërisë.
“Ky është një fakt tjetër se Ministria e Mbrojtjes si çdo institucion shtetëror kontrollohet, por mbi bazën e ligjit. Kontrolli nuk është dyshim në një shtet demokratik. Ai është një instrument rutinor në një shtet demokratik. Kontrolli administrativ është një nga mjetet kryesore në funksion të transparencës dhe zbatimit të ligjshmërisë. Madje, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithëse ishte kontrolluar edhe më parë, të kontrollohej sërish ligjshmëria e procedurave për aktivitetin e shpërmendur”, deklaroi zëdhënësja e Ministria e Mbrojtjes.