E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, pala greke në grevë, pezullohet qarkullimi

Radhë të gjata kilometrike janë shfaqur prej mesnatës në kufirin me Greqinë në Kapshticë. Më shumë se 500 udhëtarë kryesisht, emigrantë janë duke pritur në anën greke të kufirit prej mesnatës, për të hyrë në tokën shqiptare. Në fakt autoritetet e doganës greke kishin njoftuar fillimisht se greva do ishte 24 orëshe, duke iu rikthyer normalitetit në mesnatën e ditës së sotme. Por nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi greva greke do të vazhdojë edhe për 24 orët e ardhshme. Në pikën greke të Kristalopigisë nuk lejohen asnjë lloj automjeti të hyjë në territorin grek, apo të dalë prej tij.

Ndërkohë që kalimtarët mund të lëvizin lirisht, po pa asnjë lloj bagazhi duke krijuar në disa raste dhe përplasje me autoritetet në pikën greke të kalimit. Situata është mjaft e rënduar në tokën greke, ku radha e gjatë është më shumë se 2 kilometra deri në fshatin e parë grek. Gjendja sa vjen dhe rëndohet, ndërkohë që nga ana tjetër janë më shumë se 50 kamionë që presin të hyjnë në Shqipëri, të cilët gjithashtu janë duke pritur prej më shumë e 24 orësh në kufi. Autoritet greke nuk e kanë përcaktuar kohën se kur do nisë puna normalisht, teksa dhe dhjetra autobusë të linjave të përditshme me Greqinë në qytetet kryesore të saj e kanë pezulluar përkohësisht punën deri në rikthimin në normalitet të palës greke, kohë kur kjo e fundit do ndërpresë grevën e saj.

Ndërkaq në tokën shqiptare duket se lëvizjet mungojnë, ndërsa pala shqiptare gjatë mëngjesit të sotëm në orën 9.00 ka patur një takim me palën greke për të patur informacion zyrtar për kohën se kur do ndërpritet greva e cila ka paralizuar totalisht Kapshticën. Situata është alarmante në tokën greke, ku numri i automjeteve në radhë është duke u shtuar, ndërkohë që dhe kamionët e tregëtarëve janë gjithashtu në pritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›