MMPAU-UNDP ; Bashkëpunim për eliminimin e pikave të nxehta mjedisore
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka nisur një sërë projektesh, të cilat mbështeten nga UNDP-ja në Tiranë. Në këtë kuadër, ministri Fatmir Mediu pati një takim me përfaqësues të lartë të UNDP-së. Gjatë këtij takimi, u diskutua për vazhdimësinë e implementimit të këtyre projekteve mjaft të rëndësishme si, forcimin e kapaciteteve me vendet perëndimore për të ulur problemet mjedisore, identifikimin e pikave të nxehta mjedisore në vendin tonë, menaxhimi i integruar i ekosistemit të basenit të liqenit të Prespës në Shqipëri, Greqi e ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, programin e ndryshimeve klimaterike për fuqizimin e paneleve diellore për ujë të ngrohtë etj.
Një pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte diskutimi për Konferencën Ndërkombëtare mes Palëve, që do të mbahet në Kopenhagen në dhjetor të këtij viti. Shqipëria është anëtare e Konventës për Ndryshimet Klimaterike dhe Protokollit të Kiotos. Si e tillë, ka një sërë përgjegjësish në përmbushjen e standardeve për reduktimin e gazeve-serë në atmosferë. Në samitin e Kopenhagenit, pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta të vendeve më të zhvilluara si dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje në nivel global për ndryshimet klimaterike.
Kopshtet dhe çerdhet
Do të mirëpresin edhe fëmijët me aftësi të kufizuara
Fëmijët me aftësi të kufizuara do të integrohen në kopshte dhe çerdhe publike të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës bën të ditur se në këtë projekt do të marrin pjesë 150 edukatorë të kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, të cilët do të trajnohen nga ekspertë të fushës për problemet e paaftësisë, mjekë dhe punonjës socialë, për të bërë sa më të lehtë mënyrën e komunikimit me këta fëmijë, të cilët bashkëjetojnë në komunitet nëpër çerdhe dhe kopshte me fëmijët e tjerë.
Gjithashtu, do të organizohen workshop-e me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, të fëmijëve të evidentuar me probleme të aftësisë së kufizuar të lehta dhe të moderuara, të prindërve të tyre, edukatorëve dhe ekspertëve të fushës, si dhe do të shpërndahen 200 kopje të një manuali për kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit, për nxitjen e zhvillimit dhe integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara që nga fëmijëria e hershme.