INSIG, tender për shitjen e 100% të aksioneve
Kompania shtetërore e sigurimeve INSIG do të privatizohet me tender të hapur ndërkombëtar dhe në shitje do të dalin 100% të aksioneve. Në këtë garë të hapur ndërkombëtare do të kenë të drejtë të marrin pjesë edhe kompanitë shqiptare. Këto ndryshime parashikohen në projektligjin "Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sh.a.-së", i cili është miratuar dje nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financës. Në mbledhjen e radhës mes deputetëve është diskutuar rëndësia e përcaktimit të aksioneve që do të dalin në shitje, pasi është hera e parë që INSIG del në shitje me 100 për qind të aksioneve. Por specialistët kanë sqaruar se në këtë proces privatizimi do t’i jepet rëndësi vlerës që ofrojnë kompanitë strategjike për aksion. Që do të thotë se nëse vlera për një paketë prej 75 për qind mund të jetë më e lartë se ajo për paketën prej 100%, prioritet do t’i jepet vlerës për aksion. Projektligji parashikon që të përfshihen në garë dhe kompanitë shqiptare.
Odiseja e privatizimit të kompanisë INSIG ka nisur që në vitin 2004, kur u përgatit formula për privatizimin e paketës prej 61% të aksioneve. Ky proces vijoi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja, si investitorë strategjikë për privatizimin e tij. Në dakordësi me BERZH dhe IFC, procesi u konsultua nga “BNP Paribas”, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitjen e kompanisë INSIG. Fillimisht kanë paraqitur interes për privatizimin e INSIG-ut 10 kompani të huaja, si investitorë strategjikë. Në garë u parakualifikuan 8 kompani, të cilat ishin “American Reserve Life Insurance”, “Croatia Osigurania”, “Sava Re”, “Grazer”, “Eurohold Insurance Group”, “Triglav”, “Fondaria Sai” dhe “Qatar Insurance Center”. Por, për shkak të krizës financiare botërore, në fazën finale të tij rikonfirmoi ofertën e saj për blerjen e INSIG-ut vetëm kompania amerikane “American Reserve Life Insurance”, e cila ofroi një çmim prej 41 milionë eurosh në total. Por kjo kompani u tërhoq nga blerja e INSIG-ut për shkak të krizës financiare globale. Qeveria shqiptare kishte rreth 61% të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, përkatësisht nga 19.5 % secila. Meqenëse BERZH dhe IFC ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG zotërohet 100% nga shteti shqiptar.
Instituti i Sigurimeve INSIG u krijua më 31 korrik 1991 me miratimin e ligjit nga Parlamenti shqiptar për krijimin e Institutit të Sigurimeve, duke e ndarë atë nga Instituti i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. INSIG numëron tashmë mbi 150.000 klientë në të gjithë vendin dhe është një ndër shoqëritë më të fuqishme në tregun e sigurimeve në kushtet e një konkurrence të plotë dhe me një shtrirje rajonale në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 2000, Instituti i Sigurimeve ka qenë institucion shtetëror. Viti 2000 do të shënonte fillimin e hapave për privatizimin e kompanisë, duke e kthyer atë në një shoqëri anonime, mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë viti 2007 ishte viti që përgatiti kompaninë në rrugën drejt privatizimit. Kompania amerikane “American Reserve Life Insurance” ofroi çmimin më të lartë për privatizimin e INSIG–ut, në janar të këtij viti, një vlerë prej 25 milionë eurosh. Por kontrata me këtë kompani dështoi në fazën e negocimit.
Gjatë këtyre viteve që kompania ka kaluar në një proces privatizimi, ka vazhduar që të humbasë treg, duke humbur rolin që ka pasur më parë. INSIG ka në treg një portofol të sigurimit të jo-jetës njësoj si kompania e pestë në renditjen e bërë nga AMF. Deri në fund të vitit 2008, INSIG ka humbur një pjesë të konsiderueshme të tregut krahasuar me një vit më parë. Kështu sa u përket primeve bruto nga sigurimet e jo-jetës, INSIG zotëron 16.67% të tregut nga 17.76 që kishte një vit më parë. INSIG renditet në vendin e pestë sa u përket të ardhurave bruto.