E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët, norma vjetore e ngarkesës mësimore

08/10/2009  Për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete kërkohen gjithsej 750–1050 orë

Kategorizohet norma vjetore e ngarkesës mësimore që duhet të plotësojnë pedagogët gjatë vitit akademik sipas pozicionit në të cilin ndodhen. Rregullorja e ndarjes së orëve mësimore përcakton që mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Gjithashtu nga ky rregull mund të përjashtohet edhe personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit. Ora mësimore do të vijojë të jetë 60 minuta.

Ndarja

Bazuar në ndarjen e bërë për të gjitha programet akademike, theksohet se mësimdhënia për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete vlerësohet gjithsej 750–1050 orë mësimore, që i korrespondon 50–70 për qind e gjithë kohës vjetore të punës së pedagogut. Ndërsa për punonjësit akademikë që përveç orëve mësimore merren edhe me kërkime shkencore kjo normë do të jetë në nivele të tjera. Rregullorja përcakton që për personelin akademik me kohë të plotë të instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit duhet të planifikohen, si rregull, jo më pak se 70 për qind e kohës vjetore të punës, respektivisht rreth 1050 orë pune vjetore.

Tejkalimi

Personeli akademik me kohë të plotë në IAL publike mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30%, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Tejkalimi i paguar mbi 30% i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga ministri i Arsimit.

Norma vjetore për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete

Për personelin akademik:

Kategoria “Profesorë”:

- me titullin akademik “Profesor” - 200 orë mësimore

- me titullin akademik “Profesor i asociuar” - 220 orë mësimore

Kategoria “Docentë”:

- me titullin akademik “Docent” - 300 orë mësimore

- me gradën shkencore “Doktor” - 260 orë mësimore

Kategoria “Lektorë”: 260 orë mësimore

Për autoritetet drejtuese të universiteteve

Rektor/ drejtor qendre ndëruniversitare 50/50 orë mësimore

Kryetar i Këshillit të Administrimit - 120 orë mësimore

Zëvendësrektor / zëvendëdrejtor qendre ndëruniversitare 70 / 50 orë mësimore

Dekan/ drejtor instituti 70 /50 orë mësimore

Zëvendësdekan / Zëvendësdrejtor Instituti 150/60 orë mësimore

Përgjegjës departamenti / qendre kërkimi e zhvillimi 170/60 orë mësimore

Detyrimet vjetore

Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në IAL publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore në zbatim. Gjithashtu për veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë në këto institucione mund të bëhen planifikime vjetore në përqindje të ndryshme nga ato të treguara, në mënyrë të argumentuar dhe duke respektuar plotësimin e detyrimit.

Personeli i ftuar

Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë publik mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit ose 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese. Personeli akademik i ftuar mund të thirret nga universitet kur institucioni nuk i plotëson nevojat për mësimdhënie nga personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në të. Ky personel, që mbështet mësimdhënien apo kërkimin, punësohet me kontratë në përshtatje me Kodin e Punës.

Apelimi i ngarkesës

Organizimi i kohës vjetore të punës dhe programimi i saj në veprimtaritë e ndryshme përbërëse për çdo anëtar të personelit akademik formalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje vjetore ndërmjet përgjegjësit të universitetit dhe anëtarit të personelit akademik. Një kopje e saj i dërgohet dekanit ose drejtorit të njësisë kryesore përkatëse.

Anëtari i personelit akademik ka të drejtë të apelojë te dekani ose drejtori lidhur me shpërndarjen e kohës vjetore të punës apo të mësimdhënies së normuar vjetore në veçanti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›