E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia do forcohet pa i ndërhyrë askush, e mbrojmë nga këneta që ka marrë jetë njerëzish

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri njëherazi kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se vota në 11 maj për Partinë Socialiste, është siguria që liria individuale e qytetarëve dhe barazia para ligjit të mos vihet më në diskutim.

Gjatë një takimi në Milano, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, Rama dekaroi se “Shqipëria 2030” do të jetë një Shqipëri e re, një vend me një tjetër pozicion e fuqi, shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash e mudësish që sot nuk i ka akoma.

Shqipëria sot, vijoi ai, është krejt ndryshe nga sa ishte kur PS mori detyrën, në çdo aspekt, përveçse në kënetën e opozitës dhe medieve rreth saj, të cilat , theksoi Rama, sot janë edhe më keq se atëherë kur PS mori detyrën.

“S’ka asnjë dyshim që Shqipëria sot nuk do të jetë njëlloj do të jetë shumë më ndryshe nga “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian. “Shqipëria 2030” do të jetë një Shqipëri e re, një vend me një tjetër pozicion e fuqi, shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash e mundësish që sot nuk i kemi akoma dhe që as nesër nuk mund t’i kemi, nëse të gjithë së bashku, sot nuk e bëjmë Shqipërinë pjesë të asaj familjeje. Në atë familje, liria individuale e qytetarëve dhe barazia para ligjit nuk vihet më në diskutim”, deklaroi Rama.

Kryesocialisti Rama vuri në dukjo se ishte PS e cila i dha “shpatën” dhe “frymën”, drejtësisë për ta bërë atë të pavarur.

“Pikërisht, drejtësia “frymën” dhe “shpatën” e së cilës, ne, socialistët dhe progresistët e Shqipërisë e sollëm për herë të parë në jetën e vendit tonë, si një “shpatë“ që është në duart e një drejtësie të pavarur, kur në fakt në Shqipëri nuk ka pasur kurrë drejtësi të pavarur”, theksoi ai.

Rama vuri në dukje se që prej 1912-së asnjë i lidhur me pushtetin politik nuk ka dalë para drejtësisë.

“Nga 1912 nuk është parë dikush i lidhur me poshtetin politik të shkojë para një hetuesi apo gjyqtari të pavarur. Ne duhet ta garantojmë duke e futur Shqipërinë në BE, aty ku drejtësia, sot e re e e pavarur, do të mbetet e pavarur dhe forcohet pa i ndërhyrë askush. Sepse populli shqiptar nuk mund ta lërë në dorë të qeverive të radhës apo partive të radhës, por do ta marrë vet në dorë e ta mbrojë me gjithë forcën e vet me votën e 11 majit lirinë e pavarësinë e drejtësisë që ne po ndërtojmë“, deklaroi ai.

Sipas Kryeministrit, nuk mund ta lëmë drejtësinë në dorën e atyre që morën jetë njerëzish.

“Ata janë “këneta” që jo vetëm asnjëherë nuk i ka lënë drejtësisë radhë të thotë fjalën e vet, por ka arritur ajo “kënetë” të marrë edhe jetë të pafajshme njerëzish dhe të pengojë drejtësinë të bëjë punën e vet. Sot duan të rikthehen përsëri, sepse “bufi i kënetës” do të rikthehet përsëri për të rikthyer Shqipërinë në gropën e tij, vetëm e vetëm për hallin e tij”, tha Rama. /j.p/.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›