MOSKË – Lavrov: Rusia do të përdorë gjithçka për të shmangur një disfatë në luftën kundër Ukrainës

UASHINGTON, 6 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia do të përdorë gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur një disfatë në luftën kundër Ukrainës, i tha ministri i Jashtëm Sergei Lavrov gazetarit kontrovers amerikan, Tucker Carlson në një intervistë të botuar dje.
“SHBA-ja dhe aleatët e tyre, të cilët po i ofrojnë armë me rreze të gjatë “regjimit në Kiev” duhet të kuptojnë se Rusia do të ishte e gatshme të përdorte çdo mjet për të mos lejuar që ata të kenë sukses në atë që ata e quajnë “disfatë strategjike” të Rusisë”, i tha Lavrov Carlson në anglisht.
“Ata luftojnë për ruajtjen e hegjemonisë mbi botën, në çdo vend, çdo rajon, çdo kontinent. Ne luftojmë për interesat tona legjitime të sigurisë”, shtoi Lavrov.
Presidenti rus Vladimir Putin filloi luftën kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Që atëherë, dhjetëra mijëra, ndoshta qindra mijëra, ushtarë janë vrarë nga të dyja palët.
Numrat e saktë nuk dihen, pasi as ushtria ukrainase dhe as ajo ruse nuk duan të pranojnë hapur humbjet e tyre.
Fundi i luftës nuk dihet ende. Është gjithashtu e paqartë se si presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump do ta trajtojë konfliktin pasi të marrë detyrën më 20 janar, megjithëse ai ka treguar vazhdimisht se do të reduktojë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.
“Putini e ka bërë të qartë së fundmi se ne jemi gati për çdo eventualitet. Por, ne preferojmë fuqimisht zgjidhjen paqësore përmes negociatave”, tha Lavrov.
“Pikëpamja perëndimore se “vijat e kuqe” të Rusisë mund të zhvendosen është një gabim i madh”, tha ai.
Lavrov theksoi se Rusia nuk dëshiron një luftë bërthamore me SHBA-në dhe se po bën gjithçka për ta parandaluar atë.
“Doktrina ushtarake ruse thotë se shmangia e një lufte bërthamore është gjëja më e rëndësishme”, tha ai. //a.i/