MOSKË – Putin dhe Modi zotohen për bashkëpunim të ngushtë në bisedimet zyrtare

MOSKË, 9 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vlerësuar marrëdhëniet e ngushta dhe të vjetra dypalëshe midis dy vendeve të tyre gjatë bisedimeve zyrtare në Moskë.
“India dhe Rusia janë të lidhura nga një partneritet strategjik i privilegjuar”, tha Putini gjatë takimit në Kremlin.
Tregtia midis dy vendeve ishte rritur me 60% vitin e kaluar. Sipas Ministrisë indiane të Tregtisë, ajo arriti në ekuivalentin e 65 miliardë dollarëve, me importet indiane të naftës dhe plehrave kimike nga Rusia që zënë pjesën më të madhe.
India ka mbajtur historikisht marrëdhënie të mira me Rusinë, megjithëse vendi ka gjithashtu lidhje të ngushta me vendet perëndimore, të cilat duan të punojnë ngushtë me Indinë – përballë një Kine gjithnjë e më agresive.
Nga ana tjetër, marrëdhënia e ngushtë e Rusisë me Kinën është ‘një gjemb në këmbë’ për Indinë.
“India shihet si një shtyllë e fortë e rendit botëror të ri, në zhvillim, shumëpolar”, tha sot Modi.
Qeveria e Modit ka kërkuar të mbajë një qëndrim pragmatik ndaj luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.
Putini, 71 vjeç, është i kufizuar në kontaktet e tij ndërkombëtare për shkak të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të dyshuara lufte në Ukrainë.
Programi për vizitën e Modit në Rusi është organizuar në mënyrë të detajuar që nga e hëna. Putini e priti kryeministrin indian në rezidencën e tij në periferi të Moskës.
Sipas Kremlinit, të dy jo vetëm që folën për tre orë, por ata udhëtuan së bashku me një karrocë elektrike dhe ndoqën një shfaqje kuajsh. //a.i/