Serbët në Kosovë injorojnë Beogradin, gjashtë subjekte aplikojnë për zgjedhjet
Blerina Olldashi
Gjashtë subjekte politike serbe regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës që do të zhvillohen më 15 nëntor. Edhe pse Beogradi zyrtar herë pas here ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre, përfaqësuesit serbë nuk janë ndikuar aspak për të ndjekur procedurat ligjore, sipas të cilave çdo subjekt mund të aplikojë deri në 60 ditë para ditës së votimeve. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, thotë se interesim është parë edhe nga komuniteti serb. “Zyra për regjistrimin e partive politike është duke punuar vazhdimisht në pranimin e aplikimeve, për çështje të aplikimit për certifikim të subjekteve të ndryshme, që do të konkurrojnë për zgjedhjet e pushtetit lokal të 15 nëntorit. Deri tani, kanë aplikuar gjashtë subjekte partiake të komunitetit serb. Kohë do të ketë ende për të gjitha subjektet që duan të marrin pjesë në zgjedhje deri në 60 ditë para ditës së mbajtjes së votimit”,- sqaroi Ajvazi. Ai pohon se këto parti janë të regjistruara, derisa certifikimi i tyre, sipas tij, do të bëhet më vonë. Ato kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e fushatës dhe e procesit zgjedhor, pra me vetë aplikimin do të thotë se edhe do të certifikohen”,- tha Ajvazi. Ndërkohë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, interesimin e subjekteve politike serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale e konsiderojnë si një gjë të rëndësishme. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerëson se kjo është një dëshmi e mirë e integrimit të këtij komuniteti në jetën politike të vendit. “Për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Kosovës, kjo është një dëshmi e vazhdës së integrimit serb në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pra në shoqërinë kosovare dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal”,- tha Manaj, duke shtuar se ky veprim i partive politike serbe tregon gatishmërinë për t’u integruar dhe në jetën institucionale të Kosovës. Disa politikanë serbë të pjesës veriore të Kosovës e kundërshtojnë me ngulm procesin zgjedhor, të paralajmëruar nga Prishtina zyrtare. Beogradi zyrtar po ashtu u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës për bojkotim të zgjedhjeve që organizohen nga Prishtina zyrtare. Analistët shprehen se zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në nëntor, të jenë testi i parë i demokracisë në Kosovën e pavarur. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zotuar për organizimin e një procesi zgjedhor sipas Kushtetutës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
24 Gusht 2009