MPB-ja shkelë ligjin në sy të AKK-së

Agjencia kundër Korrupsionit ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që si autoritet kontraktues ti ndërmerr të gjitha masat e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara në lidhje me tenderin “Furnizimi me automjete për zjarr fikje dhe shpëtim” në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit për Prokurimin Publik.
Agjencia Kundër Korrupsion me ftesë të Ministrisë ka marrë pjesë në monitorimin e vlerësimit të Ofertave në MPB, për Tenderin “Furnizimi me automjete për zjarr fikje dhe shpëtim” dhe ka ardhur në përfundim se - në “Njoftim Kontrate” të publikuar në KRPP më datë 16/07/2013, tek pika III.2.4, tek rubrika “Kapaciteti teknik dhe profesional”, pika d) , thuhet se: Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve dhe superstrukturës në kohën e garancionit të dhënë nga tenderuesi fitues, minimumi 24 muaj, ndërsa tek specifikimet teknike në “Dosja e Tenderit” në faqen 81 kërkohet Garancion 5 vite pa kufizim të kilometrave.
Në këtë drejtim Agjencia konstaton se:- njoftimi për Kontratë dhe Dosja e Tenderit duhet të jenë në harmoni të plotë në lidhje mes veti.
“Ky veprim nuk është në përputhshmëri me rregullat e prokurimit në Kosovë, ndërsa Komisioni vlerësues vlerësoi se kjo mospërputhje ishte lëshim teknik”, vlerëson Kundër korrupsioni.
Tenderin e ka fituar me 14 gusht kompania nga Zagrebi i Kroacisë “Vatropromet” me pronarë Nenad Radojqiq. Vlera e përgjithshme e kontratës është 6,695,000.00 euro.
Për më tej AKK vlerëson se Specifikimet Teknike që duhet t’i përmbahen Operatorët Ekonomik, janë të specifikuara në atë mënyrë që i vë në lajthim Operatorët Ekonomik të interesuar.
Madje, Agjencia Kundër Korrupsionit ka vërejtur se një kompani ka garuar, vetëm për të plotësuar kriterin e aplikimit të së paku dy operator ekonomik në një procedurë prokurimi.
Si rrjedhojë e këtyre anashkalimeve të specifikacioneve si dhe tejkalimeve tjera në evidentuara në dosjet e Tenderit në fjalë, AKK , konsideron se një shkelje e tillë, nuk duhet lejuar në procedura të prokurimit, andaj rekomandon anulimin e kësaj procedure të prokurimit dhe të shmangen praktika të tilla në të ardhmen. /Indeksonline/