E Diel, 1 Nëntor 2026

MPJ: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të paligjshme

Kjo Ministri vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i papranueshëm, pasi cenon integritetin e një vendi fqinj sovran.

“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet. Si të paligjshme, këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik, personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor. I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin  është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë.”, thekson MPJ-ja.

 Sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare, këto zgjedhje gjithashtu cenojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës. “Vlerësojmë se fryma evropiane për të cilën ka nevojë Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni,  konsiston në zgjidhjen e problemeve në Veri të Kosovës, duke zbatuar plotësisht paketën Ahtisari”, përfundon reagimi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-14 10:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›