MPJ përshëndet marrëveshjet e para Kosovë-Serbi
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka përshëndetur sot arritjen e marrëveshjeve të para në bisedimet teknike Kosovë-Serbi. Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ministria e Jashtme thekson se këto marrëveshje janë bazuar në parimet e reciprocitetit mes dy shteteve të pavarura e sovrane dhe vullnetit të mirë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e çështjeve praktike mes tyre.
"Marrëveshjet për lëvizjen e lirë, njohjen reciproke të diplomave dhe regjistrat civilë, janë në përputhje me frymën e bashkëpunimit dhe integrimit europian te rajonit dhe i afrojnë këto dy vende e gjithë rajonin më afër me BE-në. Shprehim besimin që marrëveshjet e arritura do të fillojnë të zbatohen sa më shpejt", thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Gjithashtu, ministria e Jashtme përshëndet angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së, që mundësuan arritjen e marrëveshjeve të dobishme për qytetarët e të dy vendeve.