Tahiri: Marrëveshjet do të nisin zbatimin nga 1 nëntori

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se tre marrëveshjet e arritura në Bruksel do të fillojnë të implementohen që nga 1 nëntori i këtij viti.
Këto komente, Tahiri i bëri pas kthimit në Prishtinë nga Brukseli ku u ra dakort për tre marrëveshje me palën serbe.
“Marrëveshjet fillojnë të zbatohen nga 1 nëntori i këtij viti. Nga kjo datë do të zbatohet ligji në gjithë territorin e Kosovës dhe do të eliminohen strukturat paralele, kurse qytetarët do të lëvizin lirshëm”, ka thënë Tahiri.
Ajo theksoi gjithashtu se marrëveshjet e arritura të shtunën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë hapi i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Të shtunën në Bruksel delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë rënë dakort për tre marrëveshje, atë të lirisë së lëvizjes, librave të amzës dhe njohjes së diplomave shkollore e universitare, sipas parimit të reciprocitetit.
Në mungesë në nënshkrimit të marrëveshjeve, garantues i zbatimit të tyre do të jetë Brukseli, i asistuar nga misioni i BE-së në Kosovë EULEX.