MPJ pranon notën verbale nga Jemeni

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka pranuar notën verbale të njohjes së Kosovës nga Republika e Jemenit.
Në notën verbale drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Jemenit, të martën më 11 qershor 2013, ka marrë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur e sovran.
“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Jemenit ka marrë vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe për të punuar për të mirën e përbashkët të dy vendeve mike, në të gjitha fushat”, thuhet në notë.
--------
Në letër, autoritetet e Jemenit shprehin besimin e tyre se Republika e Kosovës do të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri i komunitetit ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë e stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Qeveria e Republikës së Jemenit ka njoftuar njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Njoftimi është publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Jemenit, të cilën e transmeton Agjencia e Lajmeve e Jemenit, Saba.
“Qeveria e Republikës së Jemenit do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale dhe asaj që i shërben marrëdhënieve të përbashkëta midis dy popujve e vendeve miq në të gjitha fushat”.
Qeveria e Jemenit shpreh aspiratën që Republika e Kosovës të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri në komunitetin ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Gjithashtu në kumtesë shprehet dëshira e këtij shteti që marrëdhëniet e mira dhe respekti i ndërsjellë të mbizotërojë midis dy vendeve fqinje, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim të prosperitetit të dy popujve, sigurisë e stabilitetit në rajon dhe punës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura midis tyre sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj me 28 prill 2013 ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Jemen, ku ishte pritur nga homologu jemenas, Abu-Bakr Al-Qirbi.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast pati marrë premtimin e ministrit Abu-Bakr Al-Qirbi për njohjen e shpejt të Kosovës.
Ministri Hoxhaj edhe gjatë një vizite në Egjipt, në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet arabe, pati zhvilluar një takim me homologun jemenas, Abu-Bakr Al-Qirbi.
Jemeni, është shtet arab në pjesën perëndimore të Azisë, në jugperëndim të Gadishullit Arabik. Jemeni konsiderohet një ndër qendrat më të vjetra të civilizimit në lindjen e afërt.
Me një popullsi prej afër 24 milionë banorë, Jemeni ka një sipërfaqe prej rreth 528 mijë kilometra katrorë dhe është anëtar i Kombeve të Bashkuara prej 30 shtatorit 1947./Indeksonline/