M.SH: Vaksinimi për A/H1N1 do nisë nga mjekët
TIRANË - Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia u shpreh sot se sapo të mbërrija vaksina kundër gripit të derrave në Shqipëri do nisë vaksinimi. Sipas tij të parët do jenë mjekët. "Kategoria qe rrezikon me shume janë punonjësit e Shëndetësisë ndaj ata do te jene edhe te paret qe do te vaksinohen kundër ketij virusi", u shpreh ai.
Vaksina pritet të mbërrijë se shpejti në Shqipëri, por zyrtari i Shëndetësisë nuk tha datë se kur vijnë dozat e para. Ndërkohë numri i të prekurve nga virusi A/H1N1 në vendin tonë ka shkuar në 44. Dje MSH raportoi se për muajin shtator- tetor u identifikuan 9 raste të reja. Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
*******
Gripi, fëmijët më të rrezikuarit
Gripi i derrave ka shkaktuar mbylljen e shkollave dhe ka shënuar rritje të numrit të viktimave në pjesë të ndryshme të botës.
Ne Shqiperi nuk ka asnje lajm per nisjen zyrtare te vaksinimit dhe situata ndiqet ne menyre ambulante, pa ndonje organizim te posacem.
Periudha nëntor - mars njihet si sezoni tradicional i gripit në botë. Sezoni i këtij viti, për dallim nga herët e tjera, vjen i shoqëruar me shqetësimin për një epidemi të mundshme të virusit A/H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrave.
Virusi prek më së shumti moshat e reja. Në Shtetet e Bashkuara autoritetet kanë ngritur shkallën e gatishmërisë për prekjen e fëmijëve nga gripi i derrave.
Në këtë vend, numri i vdekjeve nga gripi i derrave, të konfirmuara nga analizat laboratorike, është 114 fëmijë.
Zyrtarët e shëndetësisë kanë kërkuar me urgjencë shtimin e sasive të vaksinës tamiflu për fëmijë, të hedhur në treg.
Në Rumani, gjatë javës që po lëmë pas, virusi A/H1N1 shkaktoi mbylljen e shkollës së parë në verilindje të vendit. Vendimi erdhi pas 20 rasteve të identifikuara me A/H1N1 në mesin e nxënësve të shkollës.
Autoritetet rumune të futbollit kanë kërkuar nga lojtarët të mos pështyjnë në fushë, pasi kjo rrit rrezikun për përhapjen e virusit A/H1N1, i njohur si gripi i derrave.
Ukraina ka raportuar për 34 vdekje nga virusi, derisa Kina gjatë 48 orëve të fundit ka shënuar dhe dy viktima të reja nga gripi i derrave.
Vaksinimi kundër virusit A/H1N1 po vazhdon në shumë vende, krahas vaksinimit kundër gripit të zakonshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se një dozë e vetme e vaksinës kundër gripit A/H1N1 është e mjaftueshme për imunizimin e të rriturve dhe fëmijëve mbi 10 vjeç.