E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS, afera me Vodafon duke përdorur firmën La Strada si seksere

Kompania La Strada e regjistruar në QKR si biznes për shitje reklamash

Korrupsioni që ka përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, tashmë duket qartë nga pushtimi, që kompania Vodafon i ka bërë sipërfaqes prej 440 metra katrorë, të Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar.

Në kontratën që u botua e plotë në gazetën SOT,  dukej fare qartë se firma La Strada ka si qëllim ta shesë këtë hapësirë vetëm për reklamë, pasi ajo nuk figuron fare tek slogani shumë i shëmtuar që është vënë në krye të Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar. Ndërkohë që në të gjithë këtë skemë korruptive ajo që të bën përshtypje është veprimi i dyfishte që ndodhet midis firmës La Strada dhe Ministrisë së Kulturës. Kjo firmë në qendër të veprimtarisë së saj ka reklamimin e aktivitetit, dhe është mjaft e habitshme sesi përzgjidhet dhe na del si palë firma Vodafon, kur kjo e fundit nuk figuron në asnjë lloj vendi. Firma La Strada vendos të përzgjedhë në mënyrë krejt abuzive një firmë tjetër për të kryer reklamimin, duke përfituar në këtë mënyrë lekë falas për këtë veprim. Nga ana tjetër, kjo firmë pasurohet nga ana e Ministrisë së Kulturës duke marrë financime për procesin e reklamimit. Ndërkohë që duke ia kaluar këtë atribut edhe vetë firmës Vadofon, La Strada arrin sërish që të marrë të ardhura shtesë, por ajo që të bën përshtypje është mungesa e reagimit nga ana e vetë ministrisë, e cila duket sikur e aprovon këtë situatë të krijuar. Megjithëse u bënë muaj që flitet për këtë projekt restaurimi, Mozaiku vazhdon të jetë i mbërthyer nga skelat dhe baneri i kësaj kompanie celularësh dhe Vodafon po përfiton miliona lekë në muaj nga sipërfaqja që ka pushtuar prej kohësh këtë Mozaik, duke injoruar të gjithë zërat që janë ngritur në mbrojtje të kësaj vepre arti, e cila po rënkon prej muajsh ndaj kësaj përdhosje që po i bëhet. Zyrtarët e MTKRS, që janë dhe përgjegjësit kryesor për aferat korruptive me kompaninë celulare Vodafon, e cila gjithmonë dhe më shumë po e zgjeron biznesin e saj fitimprurës në kurriz të këtij Mozaiku, për të cilin qytetarët presin që ai të kthehet në identitet, janë shurdhuar para këtyre zërave. Kontrata, e tregon fare hapur këtë mashtrim që është bërë nga Arbër Kadia, drejtor i DRKK, i cili ka nënshkruar dhe këtë marrëveshje mes kompanive, ku vetëm emri Vodafon nuk figuron dhe firma La Strada është një firmë, e cila për qëllime fitimi shet dhe blen reklama, kur për qëllime biznesi ajo po përfiton në kurriz të kulturës kombëtare. Prej ditësh personalitete të artit po kërkojnë që Ministria e Kulturës të marrë masa ndaj këtij bastardimi që po i bëhet sot kësaj vepre, që njëkohësisht është dhe monument kulture, por duket se kjo ministri e ka braktisur funksionin që duhet të ketë. Ministria e Kulturës nuk ndihet para këtij fakti, por ajo vazhdon me shumë qetësi të grabisë shqiptarët për interesa të caktuara. Të përlyer në afera korruptive, zyrtarët e këtij institucioni heshtin kur ata janë përgjegjës. Pas kaq muajsh shihet qartë se ata që e kanë firmosur këtë kontratë e kanë bërë për qëllime përfitimi, por dhe mungesa e ndërhyrjes në Mozaik tregon se qëllimi është që kjo reklamë e Vodafon të qëndrojë sa më gjatë në mes të kryeqytetit, duke i shërbyer sa më mirë përfitimeve të kësaj kompanie. Kjo reklamë kaq e shëmtuar tregon fare qartë, se në mënyrën më të paturpshme ajo po përdhos kulturën shqiptare. Fuqia e shtetit është e dobët para kësaj banderole të kuqe e të shëmtuar, e cila tregon më së miri fuqinë e saj korruptuese përballë një shteti të dobët. Të bësh sot një kompromis me vlerat kombëtare, në këmbim të disa mijëra dollarëve të dhuruara nga kompania celulare është një turp për MTKRS, e cila tashmë është e pushtuar nga korrupsioni. Në një situatë të tillë këto punime që po kryhen në këtë mozaik, ndoshta qëllimisht nuk mund të mbyllen për disa muaj dhe sigurisht që bëhet për interesa reklame. Edhe sot pas kaq kohësh në saitin e MTKRS, qëndron ende lajmërimi për restaurimin e mozaikut. Që në fillim të tij shkruhet se më 13.7.2010 ora 11.00 zv/Ministria e Kulturës znj. Suzana Turku  e shoqëruar nga stafi i MTKRS për trashëgiminë kulturore si dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania z. Albi Greva, inspektuan punimet për fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Aktualisht puna është në fazën përfundimtare të dokumentimit, studimit dhe të sondazheve, duke marrë parasysh përmasat e veprës, vendndodhjen dhe rëndësinë e saj, por duke qenë dhe një nga veprat kryesore, dëshmi e një periudhe të caktuar historike. Vodafone dhe MTKRS po bashkëpunojnë për restaurimin e kësaj fasade. Kjo është një vepër madhore dhe është më i madhi në Ballkan, jo vetëm artistët por dhe qytetarët kanë kërkuar që të mbahet një qëndrim i drejtë ndaj kësaj vepre arti dhe të mos abuzohet me dëshira fitimesh nga firma të ndryshme, por të shikohet më me dinjitet, pasi Vodafon gënjen qytetarët shqiptarë në mënyrën më të paskrupullt, duke deklaruar se ajo po mbështet kulturën shqiptare.

Veprimtaria e firmës La Strada
Operimi në fushën e administrimit të tabelave dhe paneleve të reklamave, ku do të shfaqen dhe reklamohen posterat e mallrave dhe produkteve të klientëve të tij, si dhe të lidhë kontrata me të tretët dhe organet vendore me marrjen me qira të tabelave dhe marrjen e lejeve përkatëse për vendosjen e tyre. Përdorimi efektiv të mass-medias dhe përgatitja e fushatave publicitare duke shpërndarë në shtyp, televizion etj. Përgatitja dhe printimi për llogari të klientëve i posterave me përmasa të ndryshme.

Kontrata MTKRS-"La Strada"

Last Updated on E Marte, 10 Gusht 2010 20:50

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›