E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS, në situatë qesharake

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve ka bërë të ditur dje, me anë të një njoftimi për shtyp, se ministri Bujar Leskaj nuk ka marrë asnjë letër nga presidenti i UEFA-s, Lenart Johanson. Për këtë arsye, MTKRS nuk mund të bëjë asnjë koment në lidhje me përmbajtjen e letrës, e botuar tashmë në shtypin shqiptar. Pas njoftimit të bërë nga zëdhënësja e ministrisë, dikasteri qeveritar përgjegjës për sportin e ka vënë veten në një situatë vërtet qesharake. Para tri ditësh, komente për letrën bëri në televizionin Klan drejtori i sporteve në MTKRS, Mehmet Spahiu. Natyrisht, që Spahiu mund ta ketë lexuar letrën në gazeta, por megjithatë ai është marrë me thelbin e cështjes, pra duke folur për problemet që ngrihen në letër, dhe pa marrë mundimin absurd që të vinte në pikëpyetje ekzistencën e saj. Një gjë të tillë mund ta bënte edhe titullari i dikasterit që ka ngritur tashmë shumë dyshime me njoftimin e djeshëm. Ose në MTKRS ekziston një rrumpallë ku nuk merr vesh i pari të dytin dhe letra ka humbur zyrave apo korridoreve, ose ndoshta Leskaj nuk është më kreu i asaj ministrie, sepse, që letra i ishte nisur personalisht atij, kjo është e sigurt. Ekziston ndoshta edhe një mundësi e tretë, që Johanson nuk është mirë dhe gabimisht shkruan letra që i nis me "I dashur zoti Leskaj" dhe pastaj i dërgon në adresë të Dukës.
Farsa e djeshme nuk është gjë tjetër vecse një tregues i kaosit që ekziston në MTKRS, ashtu si dhe në mendjen e cartur të ministrit. Pasi bëri bé të madhe para ca kohësh, direkt në televizion, se sa të ketë postin nuk heq dorë nga lufta kundër Dukës, ministri ka ngelur keq nga kërkesa e përzemërt për të mos ndërmarrë veprime kundër FSHF-së dhe drejtuesve të saj, pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Dhe tani nuk mund të luajë më me kartën e keqinformimit të FIFA-s e UEFA-s nga ana e FSHF-së. Ka qenë vetë ministria ajo që me gëzim ka informuar për vendimin, në pritje të ethshme për marrë lapsin e të zhgarravisë Statutin.
Dritan Ikonomi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›